Profesori i Filozofisë Politike, Blerim Latifi, ka reaguar pasi Dritan Abazoviq, u zgjodh kryeministër i Malit të Zi.
Me Abazoviq në Ballkan u bënë tre kryetarë shqiptarë të qeverive.
Megjithatë, Latifi thotë se punët andej e këndej janë “llugë”.
“3 kryeministra, 3 kryeparlamentarë e dy presidentë shqiptarë, e punët llugë andej e këndej, majtas e djathtas”, shkroi Latifi në Facebook.
“Janë të rralla rastet kur emri i një politikani përputhet krejtësisht me profilin e tij politik. Rasti i kryeministrit të ri të Malit të Zi është i tillë. Emrin shqiptar, mbiemrin gjysmë boshnjak dhe gjysmë malazez. A do të arrij Dritan Abazoviçi që multikulturalizmin e emrit të tij ta projektojë në një Mal të Zi multikulturalist, mbetet për t’u parë. Unë jam i prirur me mendu se qeveria e tij nuk do të zgjas më shumë se ajo tjetra. Vetë Abazoviçi e di këtë rrezik dhe që ta neutralizojë paraprakisht atë, e paska kriju një qeveri kineze, me 18 ministra e 4 zëvendëskryeministra, në një shtet që ka vetëm 600 mijë banorë”, shtoi Latifi.
Për zgjedhjen e Qeverisë votuan 45 deputetë nga gjithsej 81 sa janë në Parlamentin malazias, ndërsa 3 përfaqësues të socialdemokratëve ishin kundër.
Për kabinetin e Abazoviqit votuan deputetë të partive që përbëjnë Qeverinë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, si dhe deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, i cili nuk ka përfaqësues në Qeveri.