Kryetari i degës së OVL-së së UÇK-së në Skenderaj, Emin Lati, ka folur për takimin me kreun e AAK-së dhe ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinajn.
Tutje, Lati në Klan Kosova e paralajmëroi kryeministrin e vendit, Albin Kurti, se nëse preket ligji për veteranët e luftës dhe nuk rriten pensionet, ata do të dalin në protesta.
Lati tha se Haradinaj është i gatshëm t’i mbështes si në parlament, si në protesta e në çdo lloj vendimi që OVL-UÇK merr.
“Tema e veteranëve është bërë politikë ditore, a janë veteranë të rrejshëm apo jo, ne nuk e dimë. Ne si organizatë nuk kemi marr pjesë në verifikim të tyre por ka qenë zinxhiri komandues, dhe derisa e ka bërë zinxhiri komandues këtë verifikim, për ne është në rregull”.
“Ne qoftë se e prek këtë ligj dhe nuk rriten pensionet, do të dalim në protesta dhe besoj se edhe parlamentin do ta bllokojmë”, ka thënë Lati.
Ndërsa, sa i përket deklaratave të kryeministrit Kurti se numri i veteranëve të luftës është i fryrë, Lati tha se “sa i përket listave të veteranëve, për organizatën tonë është në rregull sepse atë listë e ka bërë zingjiri komandues”.
Ndërsa, sa i përket pretendimeve të PSD-së se vet Kurti është veteran i rrejshëm, Lati tha se atij i takon statusi i një pjesëtari e jo i veteranit.
“Atyre u takon një status i një pjesëtari, po flas për Albinin, ushtar s’ka qenë, por ka dhënë një kontribut të vogël sa ka qenë aty. I takon një status i pjesëmarrësit por jo veteran siç është në lista të veteranëve. Por, kjo nuk është çështje e jona, e ka bërë zinxhiri komandues. Adem Demaçi e ka bërë atëherë veteran”, ka thënë Lati.