Ali Lajçi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se përfaqësimi i Kosovës në dialog tash me Albin Kurtin është ndryshe.
“Ky kapitull ishte jo i lakmueshëm. A duhet ne ta përsërisim atë gjendje të dialogut të dështuar? Prandaj do një qasje më ndryshe, një përfaqësim më ndryshe. Sa zhurma është bërë nga opozita sikur duhet të kthehemi në një kapitull që duhet parë si të tejkaluar dhe futje në një kapitull të ri – kthimi kah shteti funksional juridik, sovraniteti i Kosovës, në përfaqësim në mënyrë të barabartë në tavolina dhe dinjiteti i pashmangshëm që ka nevojë”.
Ai, në Sytë 7 në Klan Kosova, ka thënë se është kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duke thënë se ky është projekt i Serbisë.
“Besoj se jo dhe nuk duhet pranuar. Nëse Kurti e pranon është gabim, se është pranim i dekomponimit të shtetit dhe futja e sistemit të Serbisë brenda që edhe ashtu e kemi të futur me Listën Serbe dhe pozitat që iu jepen komunitetit serb në kuptim të administrimit. A keni vërejtur Asociacion në baza etnike, a kemi ne komuna në baza etnike të shumicës shqiptare? Ku mund të kemi komuna të komuniteteve? Kjo është e gabuar”.
“Një Asociacion për serbët është jo për të drejtat e serbëve sa është për të krijuar bazë juridike që në proces të shkojnë kah shkëputja. Ky është projekt i Serbisë”.
Lajçi e ka cilësuar opozitën qesharake.
“Kjo opozitë tash që e kemi është opozitë që ka hak në projektet e këqija që janë bërë rreth Kosovës – demarkimi, Asociacioni, menaxhim të brendshëm e të tjera. Këta janë shumë qesharakë në kuptim të opozitës dhe absurditete krijojnë. Po të bëhet Asociacioni do të kritikohet se si e bëmë një Asociacion që ata janë aprovues të tij, po të mos bëhet thonë e bllokoi krejt procesin”.