Lajçak: Albin Kurti e di shumë mirë çfarë pritet prej tij

 

Përfaqësues Special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se Albin Kurti e di shumë mirë se çfarë pritet prej tij.

Një gjë të tillë e ka dhënë gjatë një interviste për mediat serbe, kur është pyetur “në lidhje me angazhimin dhe konstruktivitetin e qeverisë së re në Prishtinë, e cila pritet të përfaqësohet nga fituesi i zgjedhjeve, Albin Kurti”.

 

 

 

“Ai u zgjodh për të zgjidhur disa çështje të brendshme të Kosovës, të tilla si korrupsioni, drejtësia dhe çështjet sociale, dhe ai e di shumë mirë se bashkësia ndërkombëtare, BE dhe Shtetet e Bashkuara presin që dialogu të vazhdojë, dhe ai është i gatshëm për këtë”, ka thënë Lajçak.

Lajçak, duke folur për vizitën e tij në Kosovë dhe Serbi, ka thënë se nuk vjen në Beograd me një “ultimatum” dhe se Serbia nuk duhet të ketë frikë nga bashkëpunimi i ripërtërirë midis BE-së dhe SHBA-së dhe se ai është i bindur se ka një hapësirë ku Beogradi dhe Prishtina  mund të bien dakord për marrëdhëniet e ndërsjella.

 

 

“Ne jemi në kontakte të ngushta me partnerët amerikanë, e njohim mirë njëri-tjetrin dhe ndajmë të njëjtin qëllim, dhe kjo është e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor. Unë nuk mendoj se dikush duhet të ketë frikë nga bashkëpunimi BE-SHBA në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës. Normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës është një parakusht për integrimin e suksesshëm dhe Shtetet e Bashkuara dhe BE janë këtu për të ndihmuar”, shtoi në fund Lajçak.

/RTV-Okarina/