Kushtetuta e Kaçanikut sot shënon 32 vite

“Me 7 shtator 1990 në Kaçanik ju e artikuluat qartë vullnetin e pathyeshëm për lirinë, duke e miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke i vënë themelet e shtetësisë së saj. Miratimi i saj, sikurse dihet, u parapri nga një akt tjetër i guximshëm i juaji, nga deklarata kushtetuese e 2 korrikut me të cilin ju e artikuluat qartë vullnetin e qytetarëve të Kosovës për liri”

Ish-kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Kaçanikut, Ilaz Ramajli, tregoi se rrethanat e fillimit të viteve të 90-ta, gjeografia e Kaçanikut dhe arsye të tjera përcaktuan qytetin e Kaçanikut si vend për shpalljen e kushtetutës.

Ramajli tha se puna që bënë disa delegatë ishte e përkryer dhe rezultoi me sukses.

“Nga data 5 korrik Serbia realisht e kishte pushtuar me forcë dhe me masa anti-kushtetuese Kosovën dhe shqiptarëve të Kosovës u ishte mohuar çdo e drejtë në të gjitha fushat e jetës. Por, pavarësisht krejt kësaj, u bë e qartë se shqiptarët nuk do ta pranonin nënshtrimin. Kuvendi i Kosovës ishte në gjendje edhe më specifike në këto kushte. Ai kishte një detyrim të veçantë që dilte nga pika 5 e Deklaratës Kushtetuese. Ai duhej të përgatiste dhe të shpallte Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe akte të tjera të nevojshme që nxirreshin në raste të tilla”, tha Ramajli.