Trimi i parë drenicas që njeh historia, padyshim, është Milosh Nikollë Kopiliqi. Ishte luftëtar dhe prijës i njohur, si edhe pasanik i madh, i cili posedonte prona të shumta e tё begata në Kopiliq të Drenicës heroike. U martua me vajzën e car Lazarit, dhe kur osmanët u vërsulёn këtej Dardaneleve, u lidh me koalicionin e krishterё antiturk.
-Do ta shihni kush është Milosh Nikollë Kopiliqi!- u kishte thënë troç darkën e fundit princërore. Dhe, i nevrikosur në kulm, veçan në të kunatin xheloz, Vuk Brankoviqin, kishte dalë nga Kuvendi. Si me flatra dragoi kaptoi bjeshkën dhe u kthye në vendlindje, në Drenicë.
Qershor 1389. Java e dytë. Vapë e madhe, përvëluese. Toka e çarë si pjepëri. Thatësi e paparë dhe e padëgjuar. Nuk e mbanin mend as më të moshuarit. Moti s’kishte rënë asnjë pikë shiu. Edhe dimri i shkuar ishte i pa borë.
Miloshi ishte zgjuar herët. Pasi ua hodhi një sy pronave tё tij të shumta në Kopiliq tё Drenicës, shkoi edhe poshtë, te mullinjtë. S’punonin të bekuarit, se nuk kishte ujë, kishin shteruar puset. Nuk qëndroi shumë aty dhe vrik u kthye në shtëpi. U ngjit lart në kullë. Me nga një gllënjke piu radhazi tri kafe pa sheqer. Kjo nuk i kishte ngjarë moti. Ishte shenjë trazimi e shqetësimi të thellë shpirtëror. Dje e kishte hidhëruar i vjehërri, car Lazari. Kishin biseduar për organizmin e një koalicioni antiturk. Të gjithë do të bëheshin bashkë: shqiptarët, serbët, boshnjakët, vllehët, hungarezët, bullgarët etj, për t’ia ndalur turrin bishës aziatike, e cila si një masiv përmbysës po rrokullisej drejt tokave të tyre. Do të bëheshin rreth pesëdhjetë mijë veta karshi njëqind mijë trupave pushtuese turke. Mirëpo, tek ky e kishte shfaqur një mosbesim. Disi të gjithë i druheshin. Dyshonin në besnikërinë e tij. Mendonin se do t’i tradhtonte. Ende pa i thënë i vjehërri, i kishte kuptuar fare mirë.
Dhe, e gjithë kjo pa asnjë arsye. Vetë Sulltan Murati I Miloshin e njihte si njërin nga sundimtarët e Dardanisë (Kosovës), gjegjësisht Klopatnikut (Drenicës) dhe si kundërshtarin më të rrezikshëm. Para se të nisej këndej, atij i dërgoi letër, ku i kërkonte “haraçin e shtatë vjetëve” dhe “çelësat e shtatë kullave në Qyqavicë”. Madje i kishte propozuar që të shkëputej nga Koalicioni i krishtër, me kusht që të siguronte pushtetin e plotë në Kosovë.
Se do të bëhej luftë e madhe merrej vesh nga përgatitjet e palës kundërshtare…
…Fiset endacake të oguzëve turanikë nga Azia Qendrore lëviznin në grupe sa andej sa këndej. Kërkonin dhe zaptonin vende të reja,
Këto u mundonin vazhdimisht trimin drenicas dhe nuk i zihej vendi vend. E torturonin papra. Koka i ziente si zgjua bletësh. Nuk qetësohej dot. T’pfu pjellë e keqe!- mallkoi tërë inat. Nuk i dihej, e kishte me ata që po mësynin këtej apo me këta që ishte zënë dje?!
Zbriti poshtë në bodrum. U vesh mirë e mirë, me përkrenare e me parzmore prej çeliku. E përgatiti edhe kalin e mejdanit, Sharanin jelёgjatё. U përshëndet me nënëloken, duke e përqafuar fort e përmallshëm. Të shoqes, Vukosavës, nga inati, nuk i bëri zë fare. I vetëm fillikat doli në Majën e Zezё, në Qyqavicë. Me kujdes e shikoi Rrafshin e Kosovës. Ç’të shihte, o Zot! Mizëri çmendësie!. Çadrat, si kërpudhat pas shiut. Larushi ngjyrash e madhësish. Lëvizje njerëzish si thneglat. Turmë amorfe. Paqartësi e plotë…
Papritmas i polli mendja e ligë. Duhej siguruar edhe froni mbretëror. E lajmëroj të vëllanë, Jakupin. Po të thërret babai,- i thanë. Me vrap erdhi i gjori. Dhe, posa hyri brenda e ngulfatën. Përdhunshëm ia morën shpirtin, pa zhurmë. Pajzaiti u çlirua. Çdo gjë mbeti në duart e tij. Kufomën e tё atit, pa të brendshmet, e përcolli për në Brusë. Të tjerat i përpiu dheu i zi i qullur me gjak…
Kadiut, që e përcillte kufomën, ia dha edhe një ferman, ku shkruante: “Me të zhvilluarit e betejës, e cila ndodhi në Fushë-Kosovë, babai im Sulltan Murati, jeta e të cilit ishte e lumtur, vdiq si martir …plotësisht i shëndoshë u kthye nga mejdani, në çadër e vrau një me emër Milosh Nikollë Kopiliqi …në vend që t’ia puthë këmbën nxori hanxharin e fshehtë dhe duke i shkaktuar plagë të rëndë, e lagu me ujë të ëmbël prej martiri, me sherbet. Miloshi, i cili tentoi të ikte, u zu nga rojet dhe u pre copë-copë.