Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila u shpreh se për çështjen e dialogut ka bashkërendim të qëndrimeve mes Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës.
Ajo tha se ka pasur raste, që në qeveritë e shkuara, pikërisht dialogu të bëhet problem mes ekzekutivit dhe Presidencës.
“Ajo çka përmbajtësisht ka ndryshuar në procesin e dialogut, është një fakt që është bashkëkoordinimi dhe uniteti në raport me qëndrimet në mes Presidentes dhe Qeverisë. Jo rrallë herë kemi pa që dialogu është bërë mollë sherri në mes koalicioneve, e pastaj edhe në mes Presidencës dhe Qeverisë”, ka thënë Kusari-Lila.
Kusari-Lila në tryezën e ftuar nga KDI-ja, tha se Serbia vazhdimisht është duke treguar se nuk është e interesuar për marrëveshje të paqes me Kosovën.
“Dialogu përfshinë dy palë Kosovën dhe Serbinë, vetëm dje kemi dëgjuar dy deklarata të presidentit Vuçiq që janë kundër çdo norme. Ne të gjitha përpjekjet mund t’i bëjmë në Kosovë, por dialogu mund të mos ketë rezultat pasi që në anën tjetër është një udhëheqës si Vuçiq pjesë edhe stabilishmentit të mëhershëm nga koha e Milloshevqiti”, tha Kusari-Lila.
Deputetja e VV-së deklaroi se duhet menduar nëse duam finale të dialogut me një president si Vuçiq që nuk e njeh Kosovën.
“Kemi rikonfirmim të qëndrimit të Serbisë se duhet edhe ne të kemi kujdes kur themi se jemi në fazën finale të dialogut. A duam të kemi finale të dialogut me një president që thotë se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, u shpreh ajo.
Kusari-Lila tutje tha se katër propozimet e kryeministrit Kurti të bëra në Bruksel, janë një hap përpara në këtë proces.
Ajo shtoi se marrëveshjet e arritura deri më tash me Serbinë, nuk mund të insistojmë në zbatim nëse ato kanë shkelje kushtetuese.
\RTV-Okarina\