Kurti tregon tri temat që diskutoi me Edi Ramën dje në drekë pune

 

Kryeministri Albin Kurti, tha se dje pati drekë pune me kryeministrin Edi Rama, ku kanë diskutuar tri tema: sigurinë kibernetike, çështjen e energjisë dhe Procesin e Berlinit.

“Takimi i djeshëm ka qenë një drekë pune me kryeministrin Edi Rama, ka qenë një takim konstruktiv dhe i nevojshëm për shkak të temave që kemi diskutuar. E para ka qenë siguria kibernetike. Isha i interesuar të marr vesh sa më shumë për përvojën e fundit të tyre shumë të dëmshme nga sulmet kriminale.

Tema e dytë, ka qenë sfidat e energjisë në javët dhe muajt në vijim. Ju e dini se KEK dhe KESH bashkëpunojnë ngushtë, ne gjatë verës iu kemi dhënë shumë energji elektrike në Shqipëri në mënyrë që ata t’na japin gjatë dimrit”, ka thënë Kurti, përcjell Periskopi.

“E kemi njoftuar njëri-tjetrin se çka po ndodh në Shqipëri dhe në Kosovë.  E njoftova kryeministrin Rama, se jemi të parët në Ballkanin P. Që kemi marrë masën për shpërblimin për ata që kursejnë.  Tema e tretë ka qenë përgatitjet në dritën e rifillimit të Procesit të Berlinit”, tha ai.