Në fjalimin e tij të gjatë, z.Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, foli për shumë tema para aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai u vërejt pak i pakënaqur me aktivstët e LVV-së, të cilët i kritikoi se nuk po lexojnë sa duhet e nuk po shkruajnë tekste.
Kurti vlerësoi së në vazhdimësi LVV ka shërbyer si vatër e edukimit politik të rinisë.
“Lëvizja jonë ka qenë tradicionalisht një vatër e edukimit politik të rinisë. Siç dihet, nëpër qendrat tona gjithandej Kosovës, ne kemi ofruar zyrat tona si infrastrukturë edukimi. Aty janë mbledhur të rinjtë e të rejat për të lexuar e diskutuar libra, shikuar e komentuar filma, e kështu me radhë. Këto aktivitete nuk duhet të ndalojnë tani që jemi në pushtet.”, vlerësoi fillimisht Kurti.
Tutje, shefi me autoritet absolut në VV, tha se këto aktivitete nuk duhet të harrohen as në pushtet, tash kur VV ka më shumë mjete të mëdha financiare.
“Si organizatë politike përkundrazi tani posedojmë mjete më të mëdha financiare se kurrnjëherë më parë që të vazhdojmë me këtë mënyrë tonën. Ato duhet t’i përdorim për të pajisur qendrat tona gjithandej vendit tonë me biblioteka të pasura ku të rinjtë mund të huazojnë libra e t’i lexojnë ato. Qendrat tona duhet të organizojnë grupe leximi që takohen rregullisht për të diskutuar një libër të caktuar që është përzgjedhur si leximi i muajit.”, shtoi Kurti.
Shefi i Qeverisë përmendi edhe pajisjet që duhet të blihen për të shërbyer në edukimin e aktivistëve.
“Qendrat tona duhet t’i pajisim me projektorë cilësorë për të shfaqur filma dokumentarë e artistik që promovojnë mendimin kritik dhe ndërgjegjen qytetare. Shkolla politike që organizojmë rregullisht në kuadër të organizatës sonë nuk duhet, sepse nuk mundet, të zëvendësojë këto aktivitete më të decentralizuara e më gjithëpërfshirëse. Aktivisti politik nuk e zhvillon as punën pa pasion e as kohën e lirë pa shije.”, përfundoi Kurti.