Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vazhdon të jetë i mendimit se marrëveshja që ish presidenti i Kosovë, Hashim Thaçi ka arritur me NATO është e dëmshme.
Kurti këtë deklaratë e bëri pasi u pyet nga deputeti i PDK-së, Fadil Nura, nëse ka shprehur shqetësimit e tij për marrëveshje në takim që ka pasur me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Marrëveshja në fjalë ka qenë dhe vazhdon të mbetet e dëmshme për interesat e Kosovës. Unë qëndroj prapa asaj që kam deklaruar. Unë nuk kam akuzuar sekretarin e NATO-së, për shkëmbimin e letrave, dhe nuk mund të kërkojë llogari prej tij, por kam akuzuar titullarin e atëhershëm te institucioneve të Kosovës që ka vënë nënshkrimin në një marrëveshje të tillë”, deklaroi Kurti në Kuvend.
Kryeministri theksoi se kjo është një e keqe e madhe që nuk mund të rregullohet me një takim.
“Marrëdhëniet me NATO do të thellohen nuk keni pse shqetësoheni. Më 19 prill 2013, ish kryeministri i Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me kryeministrin e Serbisë, aty janë rrënjët e së keqes. Njëra marrëveshje është bërë publike kurse tjetra jo ”, theksoi ai.