Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në Ditën Botërore të Ujit ka bërë thirrje që lumi Vjosa të shpallet Park Kombëtar.
Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë që të hiqet dorë nga planet për ndërtimin e hidrocentraleve të reja.
“Sot në Ditën Botërore të Ujit i bashkohem thirrjes së qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, aktivistëve lokal dhe ndërkombëtar, kandidatëve për deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e 25 prillit dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që Qeveria e Shqipërisë të shpall lumin Vjosa Park Kombëtar dhe të heq dorë nga të gjitha planet për ndërtimin e hidrocentraleve të reja. Vjosa, lumi që lidh Shqipërinë me Evropën, është pasuri e trashëgimi jo vetëm kombëtare por edhe evropiane.
“Kanione të mrekullueshme, rrjedha të vrullshme e të papengueshme, ekosistem unik dhe 1,100 speciet që strehohen në të e bëjnë Vjosën lumin më të veçantë në Evropë. Pavarësisht kërkesave të banorëve, angazhimit të aktivistëve dhe rezolutës së Parlamentit Evropian për të shpallur Vjosën park kombëtar akoma nuk është bërë asgjë. Vjosa mbetet lumi i fundit i “egër” në kontinentin e Evropës i cili është i paprekur nga dora e njeriut dhe duhet të mbetet i tillë”.