Kurti kujton Betejën e Koshares: Ky operacion i UÇK-së shënoi thyerjen e kufirit Jugosllavi – Shqipëri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 23 vjetorin e Betejës së Koshares ka thënë se ky operacion i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shënoi thyerjen e kufirit Jugosllavi – Shqipëri, shkruan Gazeta Infokus.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kurti tha se Në kronologjinë e betejave të UÇK-së, Beteja e Koshares është integrale ku luftëtarë nga të gjitha zonat operative dhe nga të gjitha trevat shqiptare, të ndihmuar nga ushtria e Republikës së Shqipërisë dhe forcat ajrore të NATO-s, luftuan kundër trupave të armatës jugosllave.

“Në historinë e luftërave të ushtrive serbe me shqiptarët, Kosharja është Luma e Dytë (1912), sepse aty, tytat e armëve të ushtarëve të UÇK-së u kthyen në zjarre ferri për ushtarët serbë. Një betejë e tillë integrale dëshmoi se pjesëmarrja e shqiptarëve në çlirimin e tyre kishte mbërritur fazën më të lartë të organizimit.

Historia e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës, shenjohet veçanërisht nga betejat e UÇK-së, nga përpjekjet për të ndjekur idealet e dëshmorëve dhe kultivimi i mëtutjeshëm politik i tyre. Në historinë moderne të Kosovës, Beteja e Koshares paraqet një nga ato kalimet pas të cilave e shkuara thjesht nuk mund të kthehet më pas dhe kur e ardhmja e hapur para bëhet destinacion njëdrejtimësh”, ka shkruar Kurti.

Gjithashtu ai tha se e ardhmja e Betejës së Koshares dhe e gjithë luftës së UÇK-së, është e sotmja jonë e vazhdueshme.

“Beteja e Koshares nuk rri si çast i përfunduar në histori. Ajo merr pjesë në kohët tona aktuale, në të gjithë realizimet shtetërorë që burojnë nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar i pari i qeverisë.

Beteja e Koshares zgjati më shumë se dy muaj ku 114 ushtarë të UÇK-së ranë dëshmorë dhe rreth 170 të tjerë janë plagosur.