Kurti: Ka një muaj që jemi duke bërë përgatitje për strehimin e një grupi të shtetasve nga Afganistani

 

Kryeministri Albin Kurti, tha se që një muaj që janë duke u përgatitur për strehimin e një grupi të shtetasve nga Afganistani pas konfliktit në këtë shtet.

Këtë përgatitje Kurti tha se janë duke e bërë në koordinim të plotë me ShBA-në, duke shtuar se këtë punë e kanë bë pa zhurmë e me shumë seriozitet.

Duke e quajtur si aleatin kryesor e të pazëvendësueshëm, Kurti pohoi se bashkëpunimi dhe ndihma ndaj ShBA-së është më e pakta që Kosova mund të bëjë.

Kreu i ekzekutivit shtoi se për të gjitha detaje janë duke u marrë veshe ekipet nga të dyja vendet në mënyrë që strehimi të jetë sa më i sigurt.

“Shpreh keqardhje me pamjet e rënda ku urojmë të ketë sa më pak viktima. Qytetarët ku do në botë jo vetëm që meritojnë po iu takon demokracia dhe ne urojmë më të mirën për afganët”.

 

 

“Ka një muaj që Qeveria është në kontakt të rregullt me ShBA për tu përgatitur për strehimin dhe mbrojtjen e një numri të refugjatëve. Ne jemi shtet serioz dhe këtë punë e kemi bë pa zhurmë dhe me shumë kujdes se kjo çështje është e dhimbshme, por edhe çështje e ndjeshme e sigurisë”, tha Kurti.

“Ne e kemi SHBA e kemi aleatë të pazëvendësueshëm, përveç aspekti të solidaritet e ka edhe dimension edhe të aleancës me Amerikën. Ata na kanë përkrahur në vazhdimësi kjo është pjesë e vogël e kontributit. Hollësitë janë duke e diskutuar me ShBA-në dhe ato u përkasin ekipeve tona dhe kur të kenë detaje për shifrat, mënyrat dhe kohëzgjatjen”.

Qeveria e Kosovës mbrëmë ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Qeveria e vlerëson të nevojshëm ofrimin e mbrojtjes së përkohshme e të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

 

 

“Këta persona do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga institucionet relevante të sigurisë në Republikën e Kosovës, në rast të nevojës e në qëllim të sigurisë kombëtare, sipas vlerësimit të institucioneve relevante në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit të Qeverisëm, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara sipas Ligjit për Azil.

 

\RTV-Okarina\