Kurti i thotë në sy Haradinajt: Mos më shit moral, e prite Radoiçiqin në zyrë

 

 

Kryeministri Albin Kurti dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj kanë replikuar mjaft ashpër në Kuvend në një debat për situatën në veri dhe veprimet e fundit të Qeverisë.

Kurti fillimisht tha se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq ishte pritur nga Haradinaj në zyrën e kryeministrit, përcjell Express.

“Vetëm ta keni parasysh, para 4 viteve kryekrimineli atje është pritur në zyrën e kryeministrit. A sot ka fletëarrest dhe është në listën e zezë të Thesarit amerikan. Ky është dallim i madh… Andaj ju lutem mos më shisni moral dhe patriotizëm sepse ju njohim mirë”, tha Kurti.

Në replikë, Haradinaj i tha Kurtit të mos merrte merita për listën e zezë të SHBA-së, por të marrë masa për ministrin Goran Rakiq.

“Kryeministri tha ‘mos shit moral’. Vërtetë s’kam kujt me ia shitë, se ia kisha shitë. Por atij që është bërë ‘good guy’ më s’di në çfarë drejtimi me i shitë moral… Mos merr merita për listën e zezë, tregona çka po bëhet me Rakiqin tënd. Njëjtë si ai tjetri është. Ti je në tavolinë me të”, tha ai.

Kurti kundërreplikoi.

“Gjithmonë kam qenë ‘good guy’. Absolutisht unë nuk e kuptoj çfarë vlere paska mos me qenë ‘good guy’”, tha ai ndër tjerash.