Kurti dhe Osmani në nderim të rënëve në Likoshan e Qirez, kërkojnë dënimin e kriminelëve serbë

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, pas homazheve, tha se sot po nderojnë sakrificën dhe gjithë atë kontribut që kanë dhënë ata që bënë luftën frontale kundër forcave gjenocidiale serbe, por edhe të gjithë të rënët e martirët.

Kjo kujtesë historike dhe institucionale, sipas saj, u ndihmon mbi të gjitha që ta kujtojnë çmimin e lartë të lirisë që populli i Kosovës e pagoi.

“Është moment që ne sërish duhet ta ringrisim zërin tonë për drejtësi sepse vetëm duke kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat e shtetit gjencidial, pra viktimat e shtetit serb, sepse vetëm duke kërkuar drejtësi dhe vetëm duke kujtuar gjithë këtë sakrificë e cila na solli në këtë ditë, ne mund ta ndërtojmë shtetin tonë ashtu si duhet dhe ashtu si e ëndërruan të gjithë ata që ranë për të“, tha ajo, transmeton KP.

Kurse, Albin Kurti tha se ky vend shënon qëndresën dhe sakrificën tonë por në anën tjetër edhe krimin shtetëror të Serbisë.

“Në këtë vend që shënon edhe qëndresën dhe sakrificën tonë por në anën tjetër edhe krimin shtetëror të Serbisë. Ne u kemi borxh sa nuk thuhet dhe përjetë të gjithë atyre që dhanë gjithçka që ne të jetojmë të lirë, por në anën tjetër edhe drejtësia është mohuar dhe është obligim i yni institucional që për të gjithë këta familjarë, për të vrarët të sjellim drejtësi, duke u përndjekur gjykuar e dënuar kriminelët të cilët kryen krime të luftës, edhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocid“, tha Kurti.

Bashkë me Osmanin dhe Kurtin, homazhe kanë bërë edhe kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci dhe ai i Skenderajt, Bekim Jashari. Ky i fundit tha se kanë obligim dhe detyrë t’i kujtojnë të rënët.

Kurse, kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci tha se po nderojnë dëshmorët dhe heronjtë që kanë ra në këtë betejë.

“Për t’i nderuar dëshmorët dhe heronjtë, për ta nderuar betejën e Likoshanit dhe Qirezit, një beteje e cila e ka filluar edhe luftën frontale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës“, tha ai.

Homazhe në kompleksin e varrezave dëshmoreve të Qirez, ka bërë edhe kryetari i degës së PDK-së, në Skenderaj, Sami Lushtaku. Ai 28 shkurti i vitit 1998, ishte ditë e rënd për Drenicën dhe gjithë Kosovën, pasi u vranë e u masakruan dhjetëra persona.

“Kjo duhet të reflektohet pozitivisht edhe te skena jonë politike e cila sot është më së keqi, që nga paslufta e këndej, kështu që politikanët duhet të vinë shpesh në këto përkujtime dhe të shohin vërtet atë që ka ndodhur në Kosovë, pasi në Prishtinë po harrojnë çka ka ndodhur me vendin e tyre apo ata që e udhëheqin sot Kosovën, kanë harruar çka ka ndodhur me këtë vend“, tha ai.

Më 28 shkurt 1998, në Likoshan dhe Qirez të Drenicës, policia serbe në mënyrën më barbare vrau gra, pleq, burra dhe të rinj të paarmatosur, në oborret dhe shtëpitë e tyre, në shenjë hakmarrjeje pas përleshjes me një njësit të UÇK-së te Lisi Gjashtënjak.

Viktimat e pafajshme përpos që u vranë, ato edhe u masakruan. Me këtë akt policia dhe ushtria serbe filluan fushatën e akteve masive të vrasjeve, masakrave, gjenocidit, djegies dhe spastrimit etnik për dy vite me radhë (1998 – 1999).