Kurteshi: Lista është me 110 kandidatë ashtu siç e ka dorëzuar LVV-ja dhe ashtu duhet ta votojnë edhe qytetarët

 

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, tha se lista e kësaj partie për zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë e plotë dhe do ketë 110 kandidatë.

Në një konferencë shtypi, Kurteshi tha se edhe pas vendimit të PZAP-së dhe Supremes për moscertifikimin e kandidatëve të kësaj partie, ata do të mbesin në listë për shkak që sipas Kurteshit, KQZ-ja nuk ua ka dhënë mundësinë e zëvendësimit të tyre.

 

 

“Lista e LVV-së në votime është e plotë me 110 kandidatë. Pas vendimit jo të drejtë të PZAP-së dhe Gjykatës Supreme që kanë refuzuar mundësinë e zëvendësimit të kandidatëve është me 110 kandidatë ashtu siç është dorëzuar në fillim në KQZ. LVV-ja është ankuar dhe dy kandidatë nuk janë certifikuar por edhe nuk është dhënë e drejta për zëvendësimin e tyre. Lista është me 110 kandidatë ashtu siç e ka dorëzuar LVV-ja dhe ashtu duhet ta votojnë edhe qytetarët”, u shpreh Kurteshi.

 

 

Po ashtu, Kurteshi ka thënë se ende nuk e kanë listën që tregon saktë se sa aplikues nga diaspora janë konfirmuar dhe janë refuzuar.
Ai tha se personat brenda KQZ-së kanë bërë vepra penale siç është parandalimi i së drejtës së votimit.

/RTV-Okarina/