Kryetari i ri i LDK-së do të jetë i përkohshëm, mandat i i tij vetëm deri në vitin 2023

Lidhja Demokratike e Kosovës, pas paralajmërimit të dorëheqjes së Kryetarit të saj Isa Mustafa, po i kryen përgatitjet për Kuvendin, në të cilin do të zgjedh kryetarin e ri të saj.

Nga kjo parti kanë njoftuar se  kryetari i ri i partisë do të zgjidhet për një periudhë kohore jo më të gjatë se dy vite, përkatësisht deri në vitin 2023, shkruan Reporteri.net.

“Mandati i kryetarit të ri do të zgjasë deri në përfundimin e mandatit të Kuvendit të LDK-së, përkatësisht deri në gusht të vitit 2023”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Aty po ashtu bëhet e ditur se konsultat nëpër degë, me anëtarësinë dhe me strukturat e LDK-së për kandidaturat për kryetar do të zhvillohen deri në fund të këtij muaji.

“Propozimet mund t’i përcillen Sekretarit të LDK-së, për Komisionin Kandidues.

Procesi i propozimeve, të cilat i përcillen Kuvendit është i hapur dhe pa asnjë ndërhyrje nga organet e LDK-së.

Kuvendi do të vendosë, duke respektuar në tërësi dispozitat e Statutit të LDK-së”, thekson njoftimi.

Kujtojmë se, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka dhënë dorëheqjen nga posti, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, ku partia e tij doli në vendin e tretë.