Kryeministri takohet me komandantin e FSK-së, gjeneralmajor Bashkim Jashari

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në zyrën e tij Komandantin e sapo emëruar të Forcave të Sigurisë së Kosovës, gjeneralmajor Bashkim Jashari.

Në këtë takim të parë në kapacitetin e ri të gjeneralmajor Bashkim Jasharit, kryeministri e uroi edhe një herë për detyrën e tij të re dhe i dëshiroi suksese të njëpasnjëshme. Si pasardhës i familjes së lavdishme Jashari, më së miri e kuptoni se ushtria jonë e re, që është vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është shtylla mbi të cilën mbështetet Republika jonë, u shpreh kryeministri.

Me Komandantin e FSK-së Jashari, kryeministri Kurti bisedoi për rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve dhe modernizimit të FSK-së dhe mbështetjen që FSK ka nga Qeveria e Republikës së Kosovës në arritjen e këtyre synimeve.

Komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Bashkim Jashari e falënderoi kryeministrin Kurti për mikpritjen e sotme e edhe më shumë për besimin e tij. Ai e siguroi kryeministrin se do të angazhohet maksimalisht për të plotësuar objektivat e përbashkëta, për ta bërë FSK-në forcë moderne që është e gatshme për të mbrojtur vendin edhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale.rtvokarin.