Kryeministri Rama në Samitin e NATO-s, Kosova të ftohet në këtë mekanizëm të paqes

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i qeverisë përmes një postimi në rrjetet sociale.

Sipas tij, vendet që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës duhet të vlerësojnë qëndrimin e saj të njehsuar me Bashkimin Evropian, në lidhje me agresionin rus në Ukrainë.

“SOT në NATO: Kërkova që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe. Vendet që nuk e njohin ende Kosovën duhet të vlerësojnë qëndrimin e saj krejt të njehsuar me BE-në ndaj agresionit rus mbi Ukrainën, pavarësisht se Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën”, shkruan Rama në Twitter.

 

Ndërsa, për takimin me presidentin amerikan Joe Biden, Rama nënvizoi se dëgjoi prej tij fjalët më të mira për Shqipërinë.

“Dëgjova nga Presidenti Joe Biden fjalët më të mira për Shqipërinë dhe rolin e saj në Këshillin e Sigurimit e në NATO, si edhe shprehjen e dëshirës së tij për të organizuar diçka bashkarisht me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipëri-SHBA”, u shpreh Rama.