Kriza e çmimeve, turizmi në Korçë më dobët se në periudhën e pandemisë

Kriza e çmimeve dhe situata aspak e mirë ekonomike është duke u reflektuar në qytetet të cilat mbajnë ekonominë e tyre me turizëm. Si asnjëherë më parë në vitet e fundit edhe Korça po përballet me mungesë vizitorësh apo rezervimesh.

Operatorët turistikë shprehen se jo vetëm ditët e javës, por edhe fundjavat janë pothuajse bosh dhe pa rezervime në hotele.

Jo vetëm kaq, por një situatë e tillë ka bërë që të mungojë edhe krahu i punës, duke bërë që të rinjtë që punojnë në hoteleri-turizëm të largohen jashtë vendit ose në qytete të tjera të vendit.

Bashkia Korçë ka përgatitur që nga nisja e sezonit në fillim qershori një program të ngjeshur artistiko-kulturor, por duket se diçka e tillë nuk po i tërheq pushuesit.