Krenohet Kurti: Po shënojmë një vit e gjysmë të qeverisjes sonë demokratike e progresiste

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se javën që vjen i bëjnë një vit e gjysmë si qeveri demokratike e progresive.


Gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, Kurti tha se kthesa që kanë marrë drejtë zhvillimit të shoqërisë nuk mund të jetë e qëndrueshme pa sundimin e ligjit.

“Në javën e ardhshme shënojmë një vit e gjysmë të qeverisjes sonë demokratike e progresiste. Kthesa që kemi marrë drejtë zhvillimit të shoqërisë nuk mund të jetë e qëndrueshme pa sundim të ligjit, siguri juridike e zbatim të të drejtave të njeriut”,tha Kurti.

Gjithashtu në mbledhjen e 96-të të qeverisë, Kurti tregoi për të arriturat gjatë gjithë kësaj kohe.

“Për të jetësuar ndryshimin e mirëfilltë demokratik vëmë theks mbi rendin dhe ligjin. Në vetëm 1/3 e mandatit kemi kaluar mbi 150 projektligje ndërkaq në gjysmën e parë të këtij viti janë miratuar 87 sosh në Kuvendin e Republikës. Këtë javë ka rifilluar punën Kuvendi ku nesër do ta kemi seancën e parë të sesionit vjeshtor dhe urojmë që ky sesion të jetë edhe më i suksesshëm”,shtoi ai.

Përpos kësaj, kryeministri Kurti tha se të gjitha këto korrespondojë me vullnetin ndaj fuqizimit të shtetit.

 

“Shifrat korrespondojnë me vullnetin dhe kontributin ndaj fuqizimit të shtetit mbi parimet më të mira që mbrojnë të drejtat e liritë themelore dhe pamundësojnë shmangien nga zbatimi i ligjit”, tha Kurti.

“Përmes projektligjeve të miratuara kemi fuqizuar mekanizmat për luftimin e krimit dhe korrupsionit nëpërmjet reformës në Këshillin Prokurorial, deklarimin më efikas dhe transparent të pasurisë, potencimin e rolit parandalues të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe inicimit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme”, përfundoi ai.