Krasniqi: Albin Kurti i mbylli derën të vetmit festival të muzikës me përmasa botërore në vendin tonë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas anulimit të festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë.

Krasniqi ka thënë se në secilin shtet tjetër të botës, një artiste kulmore si Dua Lipa, do të trajtohej si aset e pasuri, por sipas tij fatkeqësisht, jo edhe në Kosovë.

“Është krejt e pabesueshme, por, Qeveria po e përzë nga Prishtina një ndër iniciativat më të mëdha dhe të suksesshme artistike, “Sunny Hill” Festival”, ka shkruar ai.

Krasniqi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti i mbyllën derën të vetmit festival të muzikës me përmasa botërore në vendin tonë.

“Ky veprim, më shumë se gjithçka, tregon për xhelozinë e sëmurë, injorancën e thellë, e kompetencën e munguar të komplet një Qeverie e cila secilën ditë po na sjell një skandal më të madh se tjetrin. Turp”, ka shkruar ndër të tjera kreu i PDK-së./Shqip.com