Kosovari bleu qurat dhe quranin të vjedhur, dënohet me burg

 

I akuzuari B.M., është dënuar me katër muaj burgim me kusht pasi në shkurt të 2016-ës, kishte blerë tri qura dhe një quran, të cilat paraprakisht ishin vjedhur.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, dënimi ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet nëse ai në periudhën verifikuese prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Ndërkaq, i dëmtuari A.K. për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.

Në arsyetimin e aktgjykimit thuhet se prokuroria të akuzuarin B.M. e ka akuzuar për vjedhje, ndërsa nga provat përkatëse gjykata ka vërtetuar se me veprimet e të akuzuarit manifestohen të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale “Blerja, pranimi, fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 8 maj 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj B.M., me arsyetimin se në shkurt të 2016-ës, ai nga një person i panjohur ka blerë tri qura dhe një quran në shumë prej 70 – 80 euro, edhe pse e ka ditur se vlera e qurave dhe quranit ka qenë më e lartë, të cilat janë përfituar paraprakisht me kryerjen e veprës penale.

Me këtë B.M., ka kryer veprën penale “Blerja, pranimi, fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, nga neni 345 paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme prej tre muaj deri në tre vjet burgim.

Ky aktgjykim është shpallur më 20 tetor të vitit të kaluar, nga gjykatësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Edita Çanta, shkruan Jepi Zë, përcjell RTV Okarina.