Kosova vendos sanksione të reja ndaj Rusisë

Qeveria e Kosovës sot ka vendosur sanksione shtesë ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj ushtarak në Ukrainë.

Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla në mbledhjen e sotme u shpreh se marrja e vendimeve të tilla do të kontribuojë në vazhdimësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

“Këto sanksione përfshijnë: masa kufizuese të eksportit në lidhje me mallrat dhe teknologjinë me përdorim të dyfishtë, si dhe mallrat dhe teknologjinë që mund të kontribuojnë në përmirësimin teknologjik të sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë së Rusisë. Masa kufizuese që ndalojnë investimet e reja në sektorin energjetik rus. Si dhe një kufizim gjithëpërfshirës i eksportit në pajisjet, teknologjinë dhe shërbimet për industrinë e energjisë në rusi, në përjashtim të industrisë bërthamore dhe sektorin në rrjedhën e poshtme të transportit të energjisë. Masa kufizuese që ndalojnë të gjitha transaksionet me disa kompani shtetërore, të cilat tashmë janë objekt i kufizimeve të rifinancimit dhe së fundi masa kufizuese që ndalon ofrimin e shërbimeve të vlerësimit të kredisë”, ka deklaruar Gërvalla.