Qeveria e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës nënshkruan sot deklaratë të përbashkët si zotim i të dy qeverive për marrjen me qera të qelive të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.
Detajet e marrëveshjes i kanë dhënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ajo e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Haxhiu ka sqaruar se marrëveshja me Danimarkën për dhënien me qera të qelive, ku do të vendosen 300 të burgosur nga ky shtet vlen për 10 vjetët e ardhshme.
Ajo ka thënë se të dënuarit, të cilët do të transferohen nga Danimarka nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë.
Sipas saj, paratë e fituara nga marrëveshja me shtetin danez do të dedikohen për energjinë e ripërtërishme.Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që do të nënshkruajë një marrëveshje të tillë për huazimin e qelive të burgut.
Nga kjo marrëveshje Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro në 10 vjetët e ardhshme.