Kosova s’mund ta përballojë fushatën e Serbisë për çnjohje tani që është pa ambasador

 

Skadimi i Moratoriumit ndërmjet vendeve Kosovë-Serbi arritur si rezultat i Marrëveshjes së Washingtonit, e gjen shtetin kosovar me një diplomaci të lënduar si pasojë e tërheqjes së ambasadorëve nga kryeqendrat botërore.

Ky moratorium parashihte ndalesën e fushatës së Serbisë për largimin e njohjeve të shtetit të Kosovës si dhe ndalesën për aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Emir Abrashi nga Demokraci Plus, ka thënë në një prononcim për EO, se kërkesa nga Departamenti Amerikan i Shtetit për shtyrjen e këtij Moratoriumi, është ende jozyrtare.

Sipas Abrashit, skadimi i Moratoriumit e gjen Kosovën pa 23 shefa misionesh nga 32 sa i ka vendi jashtë.

“Më 4 shtator 2021 ka skaduar Moratoriumi i vendosur nga Marrëveshja e Washingtonit i cili i pamundësonte Kosovës aplikimin në organizata ndërkombëtare dhe në anën tjetër i pamundësonte Serbisë vazhdimin e fushatës për çnjohje. Tanimë edhe kur ka skaduar ky Moratorium ne e kemi një kërkesë nga Departamenti Amerikan i Shtetit e cila nuk është akoma kërkesë zyrtare për shkak se nuk i është dërguar zyrtarisht zyrtarëve qeveritar as në Kosovë e as në Serbi, me të cilën kërkohet që ky Moratorium të vazhdohet”.

 

“Në anën tjetër skadimi i këtij Moratoriumi nënkupton që Kosova tash e tutje mund të aplikojë për organizata ndërkombëtare, mirëpo në anën tjetër edhe Serbia mundet që ta vazhdojë fushatën e saj për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës. Në këtë aspekt duhet të kemi parasysh që ne e kemi një diplomaci të lënduar për shkak të tërheqjes së një numri të ambasadorëve përnjëherësh nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Nga 32 misione diplomatike sa i ka Kosova vetëm 9 janë me shefa misionesh aktualisht dhe 23 janë pa shefa”, është shprehur ai.

Abrashi ka konsideruar se në situatën e tillë kur Kosova nuk ka mbulueshmëri me ambasadorë jashtë vendit, e ka të pamundur aplikimin në organizata ndërkombëtare, dhe po të pamundur e ka ta përballojë fushatën e Serbisë për çnjohje.

“Prandaj në këtë fazë që ndodhemi do të ishte në interes të Kosovës që të vazhdojë Moratoriumi edhe për një periudhë të caktuar për shkak se me mungesën e ambasadorëve sidomos në kryeqendrat kryesore siç janë Washingtoni, Londra, Brukseli, Berlini, Parisi, Tokyo ne e kemi të pamundur që të bëjmë çfarëdo aplikimi për organizata ndërkombëtare vetëm mbledhim mbështetje për Kosovën mirëpo në anën tjetër e kemi të pamundur që t’i bëjmë ballë edhe fushatës së Serbisë për çnjohje sidomos kur kemi parasysh faktin që dy zonat më të cenueshme nga fushata e Serbisë, Afrika dhe Paqësori ne i kemi mbulueshmëri me ambasadorë”.

 

 

“Ambasadën tonë në Australi tashmë e kemi të mbyllur për shkak se në mungesë të ambasadorit nuk ka asnjë diplomat për ta zëvendësuar atë për një periudhë të përkohshme si i ngarkuar me punë”, ka përfunduar ai.