Reth 10,000 doza të vaksinës kundër coronavirusit, të prodhuar nga kompania AstraZeneca dhe Universiteti i Oxfordit, pritet të arrijnë në Kosovë në ditët në vijim, konfirmoi për REL, Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë.
Sipas saj, ky do të jetë kontingjenti i parë i dërgesave të vaksinave kundër coronavirusit, përmes programit të OBSH-së, COVAX, trasmeton Telegrafi
“Ne po shpresojmë që kontingjenti i parë do të jetë 9,600 doza. Ideja është vetëm të fillojnë të vijnë, sepse kur të nisë ardhja, ato vijnë në periudhë të caktuar kohore dhe nuk mbesim pa to”, tha Humolli.
Kosova vazhdon të jetë ende i vetmi vend në rajon, i cili nuk ka arritur të sigurojë asnjë lloj të vaksinës kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton ky virus.
Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxfordit, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.
Humolli thotë se tash për tash, askush nuk mund të japë ndonjë datë të saktë se kur do të arrijnë vaksinat pasi, siç shpjegon ajo, gjithçka varet nga prodhuesi, i cili nuk është duke mundur të prodhojë sasinë e kërkuar.
“Qasja me prodhuesin ka kohë që është e pamundshme. Andaj po mundohemi të gjejmë rrugë alternative dhe të mund të kemi kontakt me të, duke shpresuar në mekanizmin e COVAX-it dhe përkrahjen e tyre. Po shpresoj se jemi në fund të pritjes, dhe vaksinat të jenë të disponueshme”, tha Humolli.
Sipas një raporti të publikuar më herët gjatë këtij muaji, Kosova do të marrë nga COVAX-i, 100.800 doza të kësaj vaksine.
Megjithatë, Humolli mendon se Kosova, në krahasim me vendet me të zhvilluara, është vonuar në aspektin e zotimit të mjeteve financiare te kompanitë prodhuese për sigurimin e vaksinës, jashtë programit COVAX.
“Shtetet e zhvilluara kanë bërë zotimin e mjeteve, në momentin kur ka filluar prodhimi i vaksinës. [Ne] nuk e kemi bërë këtë, sepse ne jemi mbështetur shumë në mekanizmin e COVAX-it”, u shpreh Humolli.
“As që kemi pritur që do të kemi vonesa të tilla”, ka mes tjerash ajo.
Përveç vaksinave nga COVAX-i, Ministria në detyrë e Shëndetësisë pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer për sigurimin e 535.000 vaksinave kundër coronavirusit.