Kosova ka shënuar sonte fitore të thellë kundër Burkina Fasos me rezultat 5-0.
Ndeshja miqësore u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Dardanët u paraqitën shkëlqyeshëm në ndeshjen debutuese të trajnerit Alain Giresse.
Golin e parë të ndeshjes e shënoi qendërmbrojtësi Fidan Aliti në minutën 3′ pas asistimit të Zhegrovës, kurse Astrit Selmani realizoi një supergol në minutën 23′, që njëherish ishte dhe goli i tij i parë me Kosovën.
Pas golit të dytë të pranuar, musafirët afrikan krijuan tre raste të mira, por Samir Ujkani i priti të gjitha.
Edhe fillimi i pjesës së dytë ishte fantastik për Kosovën që trefishuan rezultatin në minutën 53′ me realizator Mergim Vojvoda i cili nuk gaboi në portën e zbrazët.
Nata përfekte e portierit kosovar, Samir Ujkani u dëshmua dhe në minutën 65′, ku priti një penallti.
Tre minuta më pas, Milot Rashica shënoi për “pokerin” e Kosovës pas asistimit fantastik nga Dresevic, gol ky që do të motivoj edhe më shumë anësorin këmbëshpejt.
Për “manita” u përkujdes debutuesi Toni Domgjoni, i cili realizoi një gol të bukur nga një pozitë e vështirë.
Tashmë tifozët e Kosovës edhe më me padurim e presin ndeshjen e së martes kundër Zvicrës së shumë shqiptarëve.