Konjufca: Vetëm në prill 1999 u shuan mizorisht 1500 fëmijë, gra e pleq

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka përkujtuar masakrat e Lybeniqit, Gjakovës, Mejës, Sopinës, Kralanin, Qypevës, Rezallës, Kaçanikut, Lubizhdës, Sllovinës, Poklekut, Çikatovën së Vjetër, Ribarit të Vogël, Koliqit, Hallaçit të Vogël, Grashticës, Dobroshit, Korenicës, Guskës dhe të tjera.

Ai ka thënë se shtëpitë digjeshin me trupat e njërzve të gjallë.

Reagimi i plotë:

Prilli i vitit 1999 erdhi i thyer në Kosovë, i kobshëm e i trishtë për popullin tonë. Vetëm gjatë atij muaji më shumë se 1500 jetë të shuara mizorisht, fëmijë, gra e pleq, vëllezërit e motrat tona të masakruara dhe të zhdukura me dhunë nga ushtria, policia dhe paramilitarët e Serbisë. Shtëpitë digjeshin bashkë me trupat e njerëzve të gjallë.
Sot, 23 vite pas, le t’i kujtojmë Lybeniqin, Gjakovën, Mejën, Sopinë, Kralanin, Qypevën, Rezallën, Kaçanikun, Lubizhdën, Sllovinë, Poklekun, Çikatovën e Vjetër, Ribarin e Vogël, Koliqin, Hallaçin e Vogël, Grashticën, Dobroshin, Korenicën, Guskën dhe shumë vendbanime tjera si dëshmi e masakrave më të pamëshirshme, barbarizmit dhe gjenocidit të Serbisë pushtuese në Kosovë.
Dëshmorët dhe martirët janë kujtimi ynë i përmotshëm dhe drita e pashuar e lirisë së Republikës!
Lavdi!