Këto janë zonat më të rrezikuara për t’u goditur nga tërmeti në Kosovë

 

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Sokol Xhafa, ka deklaruar ditë më parë se këtë vit pret që të ketë furnizim të rregullt me ujë të pijshëm dhe pa reduktime.

 

Ai ka thënë se qytetarët nuk do të kenë problem me ujë, por ka thënë se gjatë verës mund të ketë reduktime në zonat e larta.

“Nuk mund të ketë krizë me ujë sepse furnizimi do të vazhdojë të jetë i qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët. Mundt ë ketë edhe ndikime të tjera sepse mund të vijnë tërmetet, por janë raste të jashtëzakonshme”, ka thënë Xhafa.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit Seizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se tërmetet nuk mund të shkaktojnë mungesë të ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Kosovës, por mund të ketë probleme në ndonjë zonë të caktuar.

“Nëse ka ndonjë tërmet të fuqishëm, mund të vie deri tek prishja e sistemit të ujësjellësit në ndonjë lokacion të ngushtë, jo në gjithë Kosovën. Ai problem mund të sanohet shumë shpejt. Vetë tërmetet janë fatkeqësi që përcjellen me fatkeqësi të tjera, por janë probleme që mund të sanohen dhe që ndodhin në lokacione të ngushta. Nuk po e di kush e ka thënë këtë, por vetëm nëse ka ndonjë tërmet të fuqishëm mund të dëmtojë ndonjë lokacion të ngushtë, pra mbetet pa ujë ndonjë lokacion i caktuar, jo e gjithë Kosova”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se tërmetet nuk rrezikojnë në masë të madhe as digat e ujit, pasi që të njëjtat janë studiuar mirë për t’i përballuar tërmetet.

I pyetur nëse Kosova është e rrezikuar nga tërmetet gjatë këtij viti, Mustafa ka bërë të ditur se nuk mund të ketë parashikime të sakta për goditjet nga tërmeti, por bazohen në probabilitet.

“Territori i Kosovës goditet brenda javës nga dy apo tri tërmete por që janë të intensitetit të vogël. Nuk ka pajisje që mund të caktojë datë apo fuqi të tërmeteve, apo që mund t’i parashikojnë ato. Andaj në seizmologji nuk ka ‘ka me ndodhë apo s’do të ndodhë’, por ekziston probabiliteti. Janë pra zonat e caktuara që kanë probabilitet më të lartë të goditen nga tërmeti”, ka thënë Mustafa

Ai ka bërë të ditur se zonat më të rrezikuara nga tërmeti në Kosovë janë pjesa veriore e Kosovës, pastaj zona nga Istogu në Prizren, ndërsa zonat më të rrezikuara nga goditjet e fuqishme të tërmetit janë zonat Ferizaj, Viti dhe Gjilan.