Ministrja në detyrë e Financave, përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës, sot (21.01.2021) ka miratuar vendime të rëndësishme në kuadër të Programit për rimëkëmbje për vitin 2021.
6.5 milionë euro për bizneset aktive dhe të vetëpunësuarit sipas kritereve të përcaktuara me Programin e rimëkëmbjes ekonomike, si vazhdimësi e masës prej 60 milionë eurosh e implementuar në fund të vitit 2020;
– 1 milion euro për kompensimin e dëmeve në komunat e Kosovës të prekura nga vërshimet e ndodhura në javën e parë të janarit të vitit 2021;
– 1 milion euro mbështetje financiare për projektet dhe iniciativat që synojnë përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe ekonomi;
– 13.5 milionë euro për pagesën e shtesës prej 30 eurosh për skemat pensionale dhe sociale që marrin pagesa mujore deri në 100 €, për muajt janar-mars 2021;
– 7.5 milionë euro për dyfishimin e pagesës së shumës së ndihmës sociale, bazuar në numrin e familjeve përfituese të muajit përkatës dhe anëtarëve të familjes për të gjithë përfituesit e ndihmave sociale, për muajt janar-mars 2021;
– 1.6 milionë euro shtesa për muajt janar-mars 2021 për angazhimin e shtuar në terren të zyrtarëve policorë aktivë, të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj pandemisë (COVID-19);
– 8 milionë euro shtesa mujore mbi pagën bazë për personelin aktiv shëndetësor të angazhuar në betejën kundër pandemisë, për muajt janar-mars 2021.
/RTV-Okarina/