Këshilli i Prindërve i Kosovës vazhdon të mbrojë qëndrimin se orët e humbura gjatë grevës së mësimdhënësve në muajin shtator nuk duhet të kompensohen me mësim të shtunave.
Për mbajtjen e mësimit ditën e shtunë (sot) kur në disa shkolla të vendit është zhvilluar procesi mësimor sipas kalendarit shkollor të hartuar nga Ministria e Arsimit, për kompensimin e orëve të humbura, ka reaguar Këshilli i Prindërve (KP), duke thënë se “ka pasur tentim për njollosje të KP të Kosovës sikur deklarimet janë politike e të pambështetura nga prindërit për mos mbajtjen e mësimit të shtunave.
”Besojmë se sot kjo është vërtetuar (kush dëshiron të shoh e kuptoj drejt) që qëndrimet tona të deklaruara e konsistentë janë vullneti legjitim i prindërve, i bazuar në të drejtën e nevojën e fëmijëve për të drejta, për pushim dhe aktivitet jashtëshkollor”, thuhet në reagimin e Këshillit të Prindërve.
Më tej në reagim thuhet se “neve, prindërve, na kanë mbështetur për muri vendimet arbitrare dhe mohuese të të drejtave të fëmijëve vazhdimisht (edhe nga institucionet) andaj zëri ynë duhet të jetë sa i fuqishëm e masiv, aq edhe legjitim, i arsyeshëm, i urtë e i bazuar”.
“Mësimi nuk bëhet me zor! Kjo nuk po kuptohet drejt! Mësimi të shtunave është gabim e ai do të refuzohet arsyeshëm! Një veprim civil, dinjitoz, i paanshëm e shumë i drejtë i mbrojtjes së fëmijëve u bë sot!”, thuhet në reagimin e Këshillit të Prindërve.
Ndryshe, shumica e nxënësve, sidomos në Prishtinë, sot nuk kanë shkuar në shkolla, duke respektuar kështu rekomandimet e Këshillit të Prindërve.
Valdrin Dervishaj nga kabineti i ministres Arbërie Nagavci në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nga rezultatet e para që kanë marr nga inspektorët në terren mësimdhënësit janë nëpër vendet e tyre të punës, ndërsa sa i përket nxënësve ai tha se numri lë për të dëshiruar.
Madje, sot kishte raste kur në klasë i pranishëm ishte vetëm një nxënës. Një rast i tillë ka ndodhur në shkollën fillore ‘Fehmi dhe Islam Kastrati’ Kishnarekë të Drenasit.
Arsimtari i Gjuhës dhe Letërsisë, Mentor Bajraktari tregoi se në klasën VIII-1 në shkollën fillore ‘Fehmi dhe Islam Kastrati’ Kishnarekë të Drenasit, e cila ka gjithsej 20 nxënës, ishte prezent vetëm një.
MASHTI ka bërë thirrje për kompensimin e orëve të humbura gjatë të shtunave, ndërkaq kundër kanë dalë edhe Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK).
Ndryshe, greva në tërë sektorin e arsimit ka filluar më 25 gusht dhe është pezulluar më 1 tetor. Kërkesa kryesore e tyre ishte shtesa nga 100 euro deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Greva u pezullua deri në janar të vitit të ardhshëm dhe kjo u bë pa marrëveshje me Qeverinë.