KEDS-it i kërkohet nga Ministria e Ekonomisë që mos të ketë ndërprerje të energjisë elektrike gjatë ditës së votimit

Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Muharrem Nitaj ka takuar sot menaxhmentin e KEDS-it, ku u njoftua për gjendjen me furnizim të energjisë elektrike në Kosovë.

Gjatë takimit, Nitaj kërkoi nga menxhmenti i KEDS-it që të ketë furnizim të mirë me energji elektrike në tërë territorin e Kosovës gjatë këtyre ditëve, kur temperaturat kanë rënë nën zero.

“Porosi e veçantë e Nitajt ishte që të mos ketë ndërprerje të energjisë elektrike në asnjë qendër të votimit gjatë 14 shkurtit, kur në Kosovë mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare”, thuhet në njoftimin e MEA-së.

Menaxhmenti i KEDS-it e njoftoi ministrin Nitaj se situata më problematike mund të paraqitet në Komunën e Malishevës, si pasojë e problemeve të trashëguara më parë. Nitaj kërkoi nga KEDS-i që paraprakisht të sigurohen mundësi alternative të furnizimit me energji elektrike gjatë ditës së votimeve në të gjitha qendrat e votimit në këtë komunë.

KEDS u zotua që do të bëjë çdo gjë që është e mundur që furnizimi me energji elektrike të mos mungojë gjatë ditës së votimit, ndërsa njoftuan që ekipet do të dalin në terren për të kontrolluar gjendjen e stabiliteteve teknike në objektet, të cilat do të jenë si qendra votimi

/RTV-OKARINA