Kaq raste të dokumentuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë i takojnë moshës së mitur

 

Nga 345 raste të dokumentuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, 11% e rasteve kanë ndodhur kur të dhunuarat kanë qenë nën moshën 18 vjeçare.

Këto të dhëna janë bërë të ditura në publikimin e raportit E DREJTA PËR TË VËRTETËN – “VIKTIMAT PA EMËR”, i publikuar nga  Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Fatmire Haliti, udhëheqëse e këtij grumbullimi tha që të dhënat janë mbledhur nga 345 të mbijetuar të dhunës seksuale në Kosovë.

 “Nga 345 rastet e dokumentuara, 325 janë  gra e vajza dhe 20 janë burra e djem. Nga rastet e dokumentuara 6% e viktimave i përkasin komunitetit jo-shumicë(romë, boshnjak, ashkali e egjiptian), 11% e rasteve të dokumentuara janë fëmijë të cilët në kohën e përjetimit të dhunimit seksual ishin nën moshën 18 vjeçare. Dhunimet gjatë luftës më shumë kanë ndodhur në fshatra se sa në qytete, 63% në fshatra ndërsa 37% në qytete”, tha ajo.

 

 

Drejtoresha Feride Rushiti, tha se qëllimi i  publikimit të këtij dokumentimi  ka ardhur si pasojë e mungesës së punës dhe dëshirës për këtë grumbullim nga institucionet.

“Është e rëndësishme ky grumbullim pasi institucionet kanë dështuar në grumbullimin e këtyre të dhënave që më vonë pastaj  tu shërbejnë edhe gjeneratave të ardhshme që të dinë për të kaluarën e luftës dhe dhunën e bërë”, tha Rushiti.

Këtë dokumentim tashmë mund edhe ta shihni në detaje përmes platformës online në faqen e QKRMT-KRCT.

/RTV-Okarina/