Konsumimi i drogës është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve.
Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë në rrugën ‘Ramadan Kelmendi’ në Mitrovicë.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 25-vjeçar, vetura e të cilit u ndal nga njësitet policore në një pikë kontrolli. Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur tek i dyshuari sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Kjo ka bërë që i riu të pranojë para policëve se është përdorues i narkotikëve, me ç’rast u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Me vendim të prokurorit, ndaj 25-vjeçarit është iniciuar rasti ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.