Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në bashkëpunim me Ambasadën Amerikanë në Prishtinë, të martën, Ditën Ndërkombëtare për Mosndëshkueshmërinë e Krimeve ndaj Gazetarëve, e ka shënuar me lansimin e kampanjës për t’i dhënë fund mosndëshkueshmërisë së këtyre krimeve.
Siç është bërë e ditur përmes një komunikate nga AGK-ja, qëllimi i kampanjës ishte fuqizimi i zërit të gazetarëve në Kosovë.
Po ashtu, kjo kampanjë ishte edhe thirrje për institucionet e sundimit të ligjit që të ndërmarrin masa për të mbrojtur gazetarët.
“Qëllimi i kësaj kampanje ishte për ta fuqizuar më shumë zërin e gazetarëve kosovarë, njëherësh për t’i bërë thirrje institucioneve të sundimit të ligjit që të ndërmarrin më shumë masa për t’i mbrojtur kolegët tanë gazetarë, si dhe për të hetuar dhunën dhe kërcënimet në drejtim të medieve”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Në anën tjetër, kampanja, fokus të veçantë kishte rrjetet sociale, pasi që në dy vitet e fundit gazetarët janë kërcënuar dhe linçuar nga akterë, e grupe të ndryshme interesi, në po këto rrjete.
\RTV-Okarina\