Fisi më luftarak është fisi KUÇ- nis rrëfimin Asllan Jashari, i cili, në bazë të asaj që ka mbajtur mend nga pleqtë e më parmë, mjaft bindshëm e shpjegon gjenealogjinë dhe degëzimin e familjeve kuçjane, të cilat sot kryesisht jetojnë në: Prekaz të Poshtëm e në Prekaz të Epërm, në Galicë, në Tërnavc, në Abri të Epërme e në Abri të Poshtme, në Lutogllavë e me pakicë edhe në ndonjë vendbanim tjetër. Këtë e arsyeton, duke përmendur trimat me radhë që nga Ahmet Delia e Ramë Islami, Azem Galica e Mursel Ahmeti, Emin Lati e Rifat Galica, Nebih e Tahir Meha e deri tek Adem Jashari dhe Jasharët e tjerë, të cilët kurorëzuan përpjekjet tona për liri.
Edhe Jasharët, të cilët, më herët jetuan në Tërnafc (për këtë dëshmojnë edhe toponimet: Arat e Jasharit, Trualli i Jasharit etj.,që edhe sot ekzistojnë në atë vendbanim), janë të vjetër dhe mbi gjashtë breza nuk i lëshuan armët nga dora. Jashari i moçëm, fillimisht ishte vendosur te Kodrajt. Ai kishte tre djem: Mehen, Kadriun dhe Jasharin. Kur u ndanë, Meha u vendos në Baltak, ashtu quhej ai vend atëherë dhe u formua lagjja MEHAJ, Kadriu mbeti aty ku ishte, andaj kemi lagjen KODRA ose KADRIU dhe Jashari erdhi këtu në Llugë, siç quhej atëherë dhe u formua lagjja jonë-JASHARI.
Këtu ndalet pakëz dhe merr frymë thellë, mbase përmallohet diç. Edhe unë bëhem sikur nuk po e vërej dhe zura të bisedoj me djemtë e tij në odë. E kuptoj që është plakur dhe herë-herë ngulfatet dhe ngashërehet…
– Eh, shoqi im,- vazhdon pasi e merr veten, siç thashë Jashari u vendos këtu ku jemi sot. Ai pati tre djem: Hasanin, Muratin dhe Hajdarin. Ato vite kishte plasur lufta ruso-turke dhe njëfarë Osman Pasha kishte kërkuar ushtarë për të luftuar kundër Rusisë. Dy të parët, Hasani e Murati, shkuan në atë luftë dhe mbetën atje, në Pleme të Vogël. Stërgjyshi im, Hasani, la pas vetes katër djem: Smajlin, Fetahun, Hazirin dhe Azemin. Ndërsa stërgjyshi i Shabanit, Murati, la një djalë të vetëm, Fazliun. Hajdari që kishte mbetur në shtëpi pati pesë djem: Maliqin, Hysenin, Jasharin, Rushitin dhe Hajzerin.
Për nja tri vjet (1909-1912) shqiptarët e patëm njëfarë si lloj lirie që i thoshin Hyrjet. Hasan Prishtina e la la Stambollin dhe erdhi këtu në Prekaz, te Ahmet Delia, dhe e nisi luftën kundër turkut që nuk na i dha të drejtat. Mirëpo, kur turku e lëshoi Kosovën, të Gardhi i Shkaut u lajmëruan barbarët serbë, të cilët më parë i kishin dëbuar mbi 600 fshatra shqiptare nga Toplica, Nishi e Vranja. Kësaj here Serbinë e prunë Rusia e Anglia dhe dredhia e disa krerëve shqiptarë, të cilët nuk e dëgjuan Hasan Prishtinën. Atëherë erdhi lajmi se duhet me i dalë shkaut përpara. Trimi i Polacit ishte i lodhur nga luftërat që i zhvilloi deri në Shkup, por prapë i mlodhi disa luftëtarë besnikë dhe ia mësynë andej. Atje shkoi edhe babagjyshi im, Dibrani. Po çka me pa se, ushtria serbe, e organizuar mirë lëvizte si bjeshka. Këta me do pushkë të vjetra e të veshur dobët, i kishin zënë pritat në Mërdar, në Prepallac e përgjatë kufirit deri në Bujanoc e Kumanovë. Ata ecnin lirshëm, sepse nuk besonin se shqiptarët u kishin dalë në pritë. Pushkët e para kishin krisur nga ana jonë. Por, kot. Ata ishin larg dhe fill ua kishin kthyer me topa të rëndë, duke bërë kërdinë. Granatat binin mbi ta e nëpër istikame. Një copë e kishte marrë edhe Dibranin në bark, duke ia këputur rripin e pushkës. Shokët mezi e kishin tërhequr nga vija e frontit…
Për ta plotësuar më mirë këtë ngjarje të hidhur, po e shfrytëzoj dr. Tahir Abdylin, i cili, në librin “Hasan Prishtina”, citon një korrespodent të një gazete kroate, i cili, pos tjerash, shkruan: ” Ushtria serbe kaloi kufirin në Mërdar më 18 tetor 1912. Por, nëntë mijë shqiptarë, papritur u sulen kundër këmbësorëve serbë…Askush nuk kishte pritur se lufta do të fillojë aq papritur. Madje disa shqiptarë kufitarë në natën para kësaj biseduan me ushtarët serbë. Lufta ishte e tmerrshme. Shqiptarët trimërisht vërsuleshin përpara, duke kaluar mbi kufomat e shokëve të tyre dhe gjithnjë e më shumë u afroheshin radhëve të para të ushtrisë serbe. Dhe në momentin kur batalionet serbe nisen t’i zmbrapsin shqiptarët, komandanti i operacionit urdhëroi tërheqjen e ushtrisë serbe. Shqiptarët sulmonin, kurse serbët tërhiqeshin. Kur këmbësoria serbe u tërhoq për një gjysmë kilometri, u urdhërua për tërheqje të shpejt. Tërheqja e shpejt e këmbësorëve serbë i solli shqiptarët para topave serbë të fshehur. Dhe sa çil e mbyll sytë, predhat e topave bënë kërdi lemëritëse në radhë të shqiptarëve. Dhe kur u ndërpre shtënia e topave, fushëbeteja nuk ishte e mbuluar me kufoma, por me mish të gjymtyrëve të shtypura dhe kocka, gjë që e tëra dukej si një masë e karmit, e fortë, me ngjyrë gjaku të njeriut…”.
Të zezat nuk na u ndanë as më vonë. Kur plasën luftërat ballkanike, në anët tona erdhën austrohungarezët. Pas një kohe, austriakët i regjistronin njerëzit tanë për të shkuar gjynli (vullnetarë) diku në Spanjë, ata që kishin paguanin bedelë. Edhe meshkujt tanë shkuan në ato luftëra dhe shumë mbetën diku në Galici a nuk di si thoshin atij vendi. Nga familja jonë shkoi mixha im, Hasani, me dy kushërinj më të largët, me Zenelin e me Salihun dhe asnjëri më nuk u kthye.
Babai ynë, Dibrani, mezi na rriti për gazep ne tre vëllezërve: Behramin, Islamin dhe Asllanin…