Jasharaj: Greva do jetë e pashmangshme, nëse kërkesat tona nuk do të plotësohen

 

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka thënë se Qeveria e re duhet të përgatitet për dy opsione, ose të plotësojë kërkesat e tyre ose greva është e pashmangshme.

Ai potencon se ky nuk është kërcënim, por që nëse ekzekutivi heziton të marr për bazë kërkesa e tyre, atëherë s’do të kenë konsideratë.

Tutje Jasharaj tha që SBAShK-u pret krijimin e institucioneve sa më shpejtë, sepse ka kërkesa që duhet realizuar dhe se veç ata kanë tri kërkesa urgjente që duhet përmbushur.Ai po kërkon që ministrinë e Arsimit ta udhëheq dikush që ka përvojë në këtë lami, përderisa për Ligjin e Pagave shtoi se duhet të përmirësohen defektet.Madje sipas tij, edhe kushtet në shkolla duhet të përmirësohen urgjentisht dhe se duhet që të miratohet Ligjin për Sigurimet Shëndetësore.

 

 

“SBAShK-u po pret ardhjen sa ma shpejtë të krijimit të institucioneve ngase ka kërkesa që duhet realizuar. Ajo që mund të them me plot përgjegjësi është që SBAShK-u do të jetë i njëjtë pavarësisht kush e merr qeverisjen e Kosovës, jemi duke u përgatitur dhe jemi në konsultim me anëtarësinë, dhe  Qeverisë së re do i shtrojmë kërkesa konkrete, madje do jenë kërkesa që më parë nuk janë thënë shumë publikisht”

“…ajo që do të angazhohemi është duke uruar që Qeveria e re të zgjedh një ministër të Arsimit që vërtetë e njeh sistemin arsimor dhe është i pritur për dialog, kërkesa jonë e parë do jetë që qeveria e Kosovës të shtoj mjete për t’i përmirësuar kushtet e punës në shkolla, pasi një pjesë e madhe punojnë me shkumës edhe shpuzë dhe mungon teknologjia informative, do kërkojmë që të formohet një komision  dhe të punohet në tërheqjen e defekteve te Ligji i Pagave, dhe kërkesa e tretë e jona e madhe do të jetë që ligji i aprovuar për Sigurime Shëndetësore të fillojë së implementuari ngase është për çdo kritikë”, u shpreh Jasharaj.

 

 

Sipas kryetarit të kësaj sindikate qeveritë nuk po ndërrohen për hir të popullit, por për interesa personale.

 

/RTV-Okarina/