Gjithçka nisi kur kompania amerikane e trenave “Amtrak” postoi gabimisht në Twitter fjalën “trenat” të enjten në mbrëmje.
Ky postim mori më shumë se 153 mijë pëlqime dhe u shpërnda 23 mijë herë deri në mesditën e ditës së nesërme, pasi përdoruesit e këtij rrjeti social e kishin spikatur këtë lëshim.
E ishin disa kompani të tjera që e panë këtë si mundësi të mirë për marketing dhe menjëherë bënë postime të ngjashme në Twitter duke e nisur kështu këtë trend viral.
Atyre iu bashkua një lider botëror, një ikonë sportive dhe madje edhe një superhero i Marvel-it, duke bërë kështu që postimet me një fjalë të marrin hov.
Presidenti amerikan, Joe Biden, postoi në Twitter fjalën “demokraci” – diçka që ai ka frikë se është nën kërcënim në ShBA për shkak të “ideologjisë ekstreme”.
Disa përdorues të Twitterit mund të jenë habitur kur legjenda e kriketit, Sachin Tendulkar, postoi thjesht emrin e sportit të tij të preferuar.
Fansat e superheronjve ndoshta janë mrekulluar kur në llogarinë e Deadpool luftëtari fiktiv i krimit postoi emrin e tij si pjesë e trendit viral.
“The Washington Post”, një nga mediat më të respektuara në ShBA, tregoi anën e saj më pak serioze, kur postoi në Twitter fjalën “lajm”.
Ekipi i rrjeteve sociale në NASA postoi fjalën “univers” për më shumë se 61 milionë ndjekësit e tyre.
E me “cicërimë” çuditi edhe presidentja kosovare, Vjosa Osmani, kur thjesht shkroi “liri”. E “liri” – e shumëkërkuar në Ukrainë – shkroi edhe homologu i saj Volodymyr Zelensky.
Dikush për marketing, dikush për qejf, e dikush për trend – kjo është e vërteta e postimeve njëfjalëshe në Twitter dhe rrjetet e tjera sociale këto ditë.