Ish-ministrit serb të Tregtisë dhe Telekomunikacionit, Rasim Ljajiq, nuk iu lejua të hynte në Kosovë gjatë kësaj të shtune.
E kjo nuk është hera parë, sepse po njësoj kohë më parë, hyrja në Kosovë iu ndalua edhe drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Ish-ministri serb i Tregtisë dhe Telekomunikacionit, Rasim Ljajiq, tashmë nuk po ndalet së rrëfyeri momentin se si të shtunën nuk iu lejua të hynte në Kosovë.
“Kur u përpoqa t’ua shpjegoja atyre se nuk isha më në Qeveri, pashë një burrë duke qeshur me mosbesim. Sinqerisht, nuk kam qeshur, sepse kam qëndruar në veturë për dy orë dhe kam pritur dhe në fund më është dashur të kthehesha”, tha Ljajiqi.
“Pa dyshim, ata nuk e kanë azhurnuar sistemin e tyre, kështu që unë jam akoma atje si ministër dhe zv. kryeministër”, tha ai paraprakisht.
Rasim Ljajiqi, ish-ministër i Tregtisë dhe Telekomunikacionit i Serbisë dhe kryetar i SDPS-së, u ndalua të kalonte në territorin e Kosovës të shtunën, kur ai kishte tentuar të shkonte në Mitrovicën e Veriut për ta përkujtuar përvjetorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
/RTV-Okarina/