Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë lidhur me dy raste të ndryshme.
Rasti i parë i referohet pamjeve të publikuara dje në medie të arrestimit të një të dyshuari për një rast të dhunës në familje i cili ishte dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe në rrethana akoma të pasqaruara kishte ikur nga aty.
Lidhur me këtë rast IPK ka rekomanduar suspendimin për dy zyrtarë policorë dhe të njëjtit janë duke u hetuar me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
“Rasti i dytë i referohet një reagimi policor në Prizren dhe pamjeve të publikuara në media gjatë inspektimit për zbatimin e masave anti-COVID në një lokal në Prizren në rrugën “Tranziti i ri” në mbrëmjen e datës 06.06.2021”, vijon njoftimi i IPK-së.
IPK në këtë rast ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor dhe është duke hetuar të njëjtin me dyshimin se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.
“Rekomandimi për suspendim është bërë në interes të procedurës hetimore përderisa për të dyja rastet hetuesit e IPK-së do të ndërmarrin veprime hetimore në koordinim me prokurorin e shtetit drejt sqarimit të rrethanave dhe pretendimeve për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga policia”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.