Iniciativa “Open Balkan”, dialogu dhe kërkim-falja e Serbisë për Kosovën – deklaratat e kryeministrit Rama në Beograd

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë dy ditëve të kaluara ka qëndruar për vizitë zyrtare në Beograd, në kuadër të takimeve për nismën rajonale “Open Balkan”.

Rama dhe nikoqiri i takimit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq të enjten kanë mbajtur një konferencë për media, ndërsa deklaratat e Ramës atje kanë ngjallur edhe reagime në Kosovë.

Kreu i Qeverisë shqiptare gjatë qëndrimit atje foli për iniciativën “Open Balkan” dhe refuzimin e pjesëmarrjes së Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës në këtë nismë, marrëdhëniet Kosovë-Serbi, dialogun dhe çështjen e kërkim-faljes.

Rama ka thënë se “Open Balkan” është për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Për të gjithë ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë, ose nuk duan ta kuptojnë ose edhe nuk e kuptojnë, Ballkani i hapur është i hapur, është gjithëpërfshirës është i të gjithëve, nuk është vetëm i Shqipërisë, Serbisë apo Maqedonisë së Veriut. Por as për ne që kemi vendosur të ecim më shpejt nuk do të presim që të binden dhe të tjerët”, ka thënë Rama në Beograd.

Kryeministri i Shqipërisë më tej shtoi se arsyet e refuzimit të pjesëmarrjes së Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës në këtë nismë nuk kanë kuptim.

“Arsyet pse tjerët janë skeptik ose refuzues ndaj Ballkanit të hapur i kam dëgjuar arsyet e të gjithëve dhe i konsideroj arsye të mos arsyes”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me gazetarë në Beograd ka folur edhe për kërkim-faljen nga Serbia.

Ai tha se kërkim-falja për Kosovën vjen pasi të përfundojë dialogu mes dy shteteve.

Rama mori shembull rastin e Gjermanisë e Francës, duke thënë se as Gjermania nuk kishte kërkuar falje pas Luftës së Dytë Botërore.

“Ju keni dëgjuar që është thënë se Serbia duhet të kërkoj falje, dhe jam shumë dakord, dhe mendoj se është kapaku që i duhet vënë përfundimisht një dialogu që duhet të zgjidh të gjitha çështjet dhe t’i japi zgjidhje njohjes së Kosovës nga Serbia”, tha Rama.

Tutje, ai tha se “Aty ku dalloj unë me ata që ma kanë vënë përpara faljen, për të më treguar se sa jam unë tradhtar, unë u them se falja vjen në fund, nuk mund të vij në fillim”.

 

\RTV-Okarina\