IKSHPK: Muaji janar me numër të madh të rasteve pozitive dhe vdekjeve, qytetarët të respektojnë masat mbrojtëse

IKSHPK përmes një njoftimi publik ka thënë se në muajin janar është raportuar numri më i madh i rasteve pozitive dhe të vdekjeve.

“Duke pasur parasysh vlerësimin e situatës aktuale epidemiologjike me COVID -19, këtë muaj është raportuar numër më i madh të rasteve pozitive dhe vdekjeve. Mjekët të stërngakuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore. Numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosë si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave”, thuhet në njoftim.

IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

“IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19”, bëhet e ditur në njoftim.

Më tej IKSHPK thotë se “në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike”.

“Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.

Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës”

IKSHPK kërkon nga qytetarët të respektojnë masat mbrojtëse, duke mbuluar hundën dhe gojën me maskë.