Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka dhënë sërish rekomandimet për t’u mbrotjur nga coronavirusi, sidomos tani pas shfaqjes së variantit të ri edhe në Kosovë.
IKSHPK-ja përmes një komunikate përsëriti thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe atyre specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 derisa vë theksin te ndalimi rigoroz i tubimeve gjatë fushatës.
IKSHPK ka bërë pesë rekomandime e gati të gjitha prekin më së shumti partitë politike, që tash e disa javë po organizojnë tubime të mëdha me simpatizantë në hapësira të mbyllura.
“Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitivë duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit”, thuhet në rekomandimet e këtij instituti.
Rekomandojmë edhe një herë:
1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
3. Ndalimi rigoroz i tubimeve sipas vendimeve në fuqi;
4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke redukuar edhe kohën e punës gjatë ditës.
IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprejnë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.