Humb jetën 22-vjeçari nga Klina, para 3 javësh u rrëzua pasi hipi mbi bagazhin e veturës

Një lajm të rëndë ka marrë familja Temaj nga Klina, mëngjesin e sotëm. Djali 22-vjeçar, Jetoni, ka humbur jetën si pasojë e një incidenti që kishte ndodhur rreth 3 javë më parë, në fshatin Shtupel.

Sinjalizues të Sinjalit kanë bërë të ditur se i riu ishte rrëzuar nga bagazhi i një veture, ku kishte hipur, derisa po kalonte kohë me miqtë e tij, në këtë fshat. Në momentin që 22-vjeçari ka qenë mbi bagazh, shoku i tij kishte filluar ta lëvizte veturën dhe si pasojë ai u rrëzua nga automjeti, duke pësuar lëndime të rënda.

Viktima fillimisht ishte trajtuar në Spitalin Rajonal të Pejës, e më pas është transferuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Fatkeqësisht, i riu s’ka mundur t’u bëjë ballë plagëve, përkundër intervenimeve që u kryen. Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërkohë që Policia është vënë në lëvizje.

Pas marrjes së informacionit për vdekjen e tij, njësitet policore kanë arrestuar personin e dyshuar, i cili kishte vozitur veturën, prej së cilës u rrëzua i riu.