Ushtruesi i detyrës së Kryetari të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, së bashku me deputetë tjerë të kësaj partie kanë bërë nderime përpara Memorialit për të Pagjeturit në sheshin “Ibrahim Rugova”.
Hoxhaj ka kërkuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që përtej ndarjeve partiake, tema e të pagjeturve të jetë prioriteti më i lartë që duhet ta ketë qeveria në dialogun Kosovë-Serbi.
Tutje, Hoxhaj ka thënë se kjo temë është keqpërdor pikërisht nga opozita e dikurshme dhe qeveria aktuale, duke ju referuar Vetëvendosjes.
“Ne kërkojmë që prej tyre që ta kenë temë të parë në dialogun Kosovë-Serbi, sepse dinjiteti i të të pagjeturve dhe dinjiteti i familjeve të cilët janë gjallë, natyrisht që është në qendër të vëmendjes tonë”.
“Kjo ditë është ditë e vështirë për të gjitha familjet në Kosovë, jo vetëm për familjarët e të pagjeturve por për çdo familje në Kosovë, sot është një ditë e rëndë dhe duhet ta japim maksimumin që në vitin e ardhshëm mos të mbesim në deklarata por të kemi përparim konkret”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj gjithashtu tha se sa ka qenë ai në pozita të ndryshme, tema e të pagjeturve ka qenë gjithmonë temë e parë.
“Unë sa kam qenë në pozita të ndryshme, prej Këshillit të Sigurimit e në çdo mekanizëm ndërkombëtarë, kjo ka qenë temë e parë gjatë kohës sa kemi qenë në Qeveri”.