Hoti: BE-ja t’i marrë me shqetësim deklaratat e Vuçiqit për rikthimin e shërbimin të detyrueshëm ushtarak, shkaku i Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se kërkesa e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi, shkaku i Kosovës, duhet të merren me shqetësim nga Bashkimi Evropian.

Hoti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova nuk brengoset për këto deklarata, sepse e ka ushtrinë e vet.

Ai theksoi se Ushtria e Kosovës është pjesë edhe e ushtrisë amerikane në misione paqeruajtëse.

“Presidenti i Serbisë kërkon rikthimin e shërbimit të detyruar ushtarak në Serbi shkaku i Kosovës! Këto deklarata duhet të merren me shqetësim nga Bashkimi Evropian. Por, ne nuk brengosemi. Ne kemi ushtrinë tonë. E gatshme, dhe tanimë pjesë e ushtrisë amerikane në misione paqeruajtëse. Më me qetësi, më me qetësi”, shkruan Hoti.

Hoti  edhe gjatë të enjtes ka reaguar pas deklaratës së Aleksandar Vuçiq, presidentit të Serbisë, i cili ka thënë se do të ngrisë kapacitetet ushtarake, me pretekst zhvillimet në Kosovë.

Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se deklaratat e tilla nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit në rajon, e aq më pak arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke.

“Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe thellimit të bashkëpunimit me partnerët strategjik ndërkombëtarë, SHBA-të dhe vendet mike të BE-së”.

“Deklarata e Presidentit të Serbisë Vuçiq, për ngritjen e kapaciteteve ushtarake, me pretekst zhvillimet në Kosovë, nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon, e aq më pak arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke”, ka shkruar Hoti.

Vuçiq, të ejten kishte deklaruar se muajt e ardhshëm do hapet debat i gjerë publik për çështjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

/RTV-OKARINA