Deputetja holandeze Kati Piri, e cila është edhe anëtare e Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, ka folur për çështjen e Ballkanit Perëndimor.
Në një shkrim në llogarinë e saj zyrtare në Twitter, Piri ka thënë se Holanda ka ndryshuar sa i përket integrimit evropian të shteteve të BP-së.
Tutje ka përmendur edhe mbështetjen për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Pas vitesh veto holandeze për zgjerimin e BE-së, disponimi po ndryshon në parlamentin: të mbështesë kandidaturën në BE të Ukrainës dhe Moldavisë, të përkushtuar për kandidimin e Gjeorgjisë, pasi të plotësohen kushte, të gatshëm të rishikojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, mbështetja për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Piri.
Ndryshe, Komisioni Evropian në korrik të vitit 2018, e ka dhënë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave, ndërkaq në shtator të po atij viti, Parlamenti Evropian ka votuar në favor të tij.
Mirëpo, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, dhe në qershor të këtij viti, Këshilli i Ministrave nuk e ka vendosur fare në agjendën e takimit të tij, çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ndërkaq Holanda dhe Franca vazhdimisht kanë qenë skeptike për heqjen e vizave për Kosovën. /rtvokarina/