
Autor: Kujtim Demiri
Relievi dhe karakteristikat morfologjike të Syriganës
Në mes të rrafshit të Dukagjinit e të Kosovës, dominon një tërësi e veçantë kodrinore-malore me emërtimin e përbashkët: Drenica, kufirin veri-perëndimor të së cilës e përbën fshati Syriganë.
Syrigana është fshat i ndarë në dysh përmes lumit Guja, njëra pjesë i takon Drenicës ndërsa tjetra Podgurit. Objekt i këtij shkrimi, është Syrigana e Drenicës, e cila ka sipërfaqe të përgjithshme 677 ha, 61 ari dhe 92 metra.
Relievi i Syriganës përbëhet nga tërësia malore, kodrinore dhe fushore të ndara pothuajse në mënyrë proporcionale. Tërësia fushore dhe fshati rreze kodrës, me pamje drejtë jugut e bën fshatin Syriganë një vend me klimë jashtëzakonisht të butë, me lartësi mbidetare mbi 700 metra.
Ndërsa karakterisitika morfologjike të Syriganës mund të konsiderohet rrafshnalta shkëmbore mbi fshat që quhet Rudina, monumentin arkeologjik që quhet Gjytet (fortesë qysh prej kohës romake), shtretërit e lumenjëve Guja dhe Vrella, etj…
Afër fshatit Dren, fillon rrjedha e lumit Guja – Gujafq e cila duke rrjedhë luginës së fshatit, në fshatin Padalishtë bashkohet me lumin e Vrellës – Burimit të Bajës, që buron nga shkëmbinjtë mbi fshatin Bajë, për tu derdhur në Drinin e Bardhë.
Parahistoria dhe Antika
Periudha e Neolitit të Hershëm në bazë të gjurmimeve arkeologjike prej vitit 1950 deri më 1965, në lokalitetin e Runikut paraqet një dëshmi për histori të begatshmenë këtë lokalitet.
Vendbanimi i hershëm në Drenicë, daton nga viti 6000 deri 2600 BC në rajonin e rrezë Bjeshkëve të Thata në malet Mokna, Treshi (Troica) dhe Duboçak. Toka e plleshme nga fushat e Runikut e në drejtim të Podgurit, malet e pasura me drunjë e kullosa nga Treshi deri në Mokën, klima e volitshme dhe burimet e ujit, kanë krijuar kushte të favorshme jetese.
Gjyteti i Syriganës
Lokaliteti arkeologjik i njohur si “Gjyteti”, ndodhet në anën veriore të fshatit afro 500m në afërsi të shollës fillore në një kreshtë shkëmbore në trajtë cilindrike që ngrihet mbi kodër me pjerrtësi
relativisht të theksuar. Sipërfaqja e kreshtës është relativisht e sheshtë dhe zë një hapësirë rreth 15 ari. Pjesa e kalueshme e terrenit shtrihet në anën lindore dhe verilindore, ndërsa në pjesët e tjera ka mbrojtje natyrore.
Gjytet i Syriganës, që nga viti 2016 është nën mbrojtje institucionale si monument i trashëgimisë kulturore, kategoria: arkeologjike. Deri më sot në këtë lokalitet ka pas vetëm studim arkeologjik gjeofizik dhe i takon periudhës së Parahistorisë.
Kroi i Kallogjerit
Një burim i pashterrshëm i ujit në bjeshkën e Syriganës, që besohet të jetë ndërtuar shekuj më parë nga një murg ortodoks i fshatit, vlerësoj që pasuron historinë e fshatit Syriganë. Emri i këtij kroi “Kroi i Kallogjerit” vërteton gojëdhënat se këtë e ka ndëruar një murg ortodoks.
E veçantë e kroit, dikur ishte një pllakë guri e gdhendur që besohet se ishte nga Mesjeta e Hershme. Pasi që fshatarët e Syriganës rrëfejnë se gdhendjet i kishte të ngjashme me sarkofagun e mermerit në Kishën e Shën Nikollës në fshatin Banjë.
Shpella e Samarxhisë
Rreth Shpellës së Samarxhisë nuk ka ndonjë studim që është kryer, përpos iniciativave personale të arkeologëve dhe historianëve. Vlerësimet fillestare janë, që kjo shpellë është pjesë përbërëse e Gjytetit të Syriganës, andaj besojmë që edhe Shpella e Samarxhisë i takon periudhës së Parahistorisë.
Në shërbim të kësaj, rrëfimi i fshatarëve rreth një ngjarje të një bariu dëshmon këtë që u tha më lartë: “Para shumë viteve, një bariu i ik një dhi dhe futet në Shpellën e Samarxhise. Duke qenë se bariu kishte humbur shpresat se do ta gjente dhinë, pas një dite dhia kishte dal në fshat nga Gjyteti”. Andaj në Syriganë besohet që nga hyrja e kësaj shpelle, është tuneli nëntokësor deri në Gjytet.
Miniera e Plumbit
Në Syriganë, përkatëisht në bjeshkën e Treshit (Troicë) gjendet miniera e plumbit e cila daton qysh nga periudha antike. Sipas historianëve, në kohën e Perandorisë Romake ka funksionuar kjo minierë, po ashtu Defterët e Perandorisë Osmane mbi regjistrimin gjatë shekullit XIV dhe XV përmbajnë të dhëna mbi obligimet e banorëve minator!
Sipas fshatarëve të Syriganës, kjo minierë ka qenë në funksion deri në mesin e shekullit të kaluar, andaj për ata është e pakontestueshme ekzistimi i kësaj miniere dhe pasurive minerare nëntokësore.
Aty afër është edhe një burim i ujit që quhet “Kroi i Plumbit”, ku edhe lehtë gjenden copa plumbi, sipas të cilave edhe kroi e morri emrin.

Syriganën si të gjitha fshatrat e Drenicës në luftën e fundit, pushtuesi serb nuk e kurseu. Në Qërshor të vitit 1998 serbët lokal të Syriganës së bashku me forcat policore dhe ushtarake serbe, sulmuan shtëpitë e shqiptarëve. Si rrjedhojë, natën e këtij sulmi u vranë gjashtë banorë shqiptarë civil të Syriganës, dhe u dogjën të gjitha shtëpitë dhe objektet përcjellëse të shqiptarëve në këtë fshat.
Pas fillimit të luftës, edhe nga ky fshat iu bashkangjiten Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, kryesisht në Zonën Operative të Drenicës, duke pasuruar historinë e fshatit krahas obligimit ndaj vendit.
Deri në përfundim të luftës në Qërshor 1999, Syrigana numëron trembëdhjet viktima civile të vrarë nga forcat serbe, tre prej të cilëve mbesin të zhdukur. Në muajin Korrik 1999, filloj kthimi masiv i shqiptarëve në Syriganë.
Ritet kalendarike
Historiani Nezir Çitaku veçon disa rite kalendarike në trevën e Drenicës, të cila i konfirmojnë edhe fshatarët e vjetër të Syriganës, andaj sipas metodologjisë komparative konstatoj që gjithëmonë janë veçuar tri data si rite kalendarike, të motivuara nga besimi pagan:
- Shën Gjergji, si festë me origjinë pagane në Syriganë dhe trevën e Drenicës shënohet me 6 Maj, duke shënuar edhe fillimin e ditëve të nxehta të vitit, ritet fillonin nga 24 Prilli. Në Syriganë, fshatarët dikur shkonin në formë peligrinazhi, kryesisht gratë dhe fëmijët nga fshati në bjeshkë tek Kroi i Kallogjerit.
- Shën Gjini, po ashtu festë me origjinë pagane ka karakter bujqësor dhe blegtoral. Ajo shënohej me 24 Qërshor, duke filluar me kositjen e livadheve, përgatitjen për korrje, daljen në stane me gjedhe, etj…; dhe
- Shën Mitri, njejtë edhe kjo paraqet festë me origjinë pagane dhe shënohej me 8 Nëntor, duke lajmëruar fillimin e ditëve të ftohta të vitit kalendarik, ritet fillonin nga 26 Tetori. Në këtë datë, secila familje do të duhej të sigurohej se ka të mbushur hambarin, të siguruar drunjtë për ngrohje dhe ushqimin për gjedhe.