Historia e emrit Skenderaj, dhe si u bë ajo komunë

Jo Hamidi as Saraj, jo Serbicë por Skenderaj

Përpjekja e Perandorisë Osmane në decenien e fundit të shekullit të XIX , kishte dështuar në themelimin dhe emërimin e qytetit të ardhshëm. Jugosllavia e Parë në decenien e tretë të shekullit XX, kishte themeluar qytetin dhe e pagëzojë me emrin Serbicë, por udhëheqja e Drenicës e rikthej emrin fillestar të qytetit, Skenderaj, të cilën e kishte pasur nga viti 1890

Edhe pse qyteti i Skenderajt nuk ka histori të gjatë të themelimit dhe emërtimit, historiku i tij nuk dihet saktësisht për shkak se deri tash nuk është studiuar seriozisht nga historianët apo intelektualët shqiptarë. Megjithëkëtë, për aq sa dihet nga hulumtimet e paktave janë bërë, shihet se historiku i këtij qyteti është i pazakonshëm që nga iniciativa për emërtim, vetë emërtimi e deri të themelimi i tij.
Deri në fillim të shekullit XX në Drenicë nuk ekzistonte kurrfarë qyteti apo qendre administrative. Megjithëkëtë, qyteti që sot quhet Skenderaj nuk ishte themeluar si dëshirë apo nevojë e banorëve të kësaj ane dhe aq më pak e zhvillimit ekonomik, por ishte themeluar si përpjekje e pushtuesve të kohës për të forcuar pushtetin e tyre në këtë regjion mjaft kryengritës, apo si nevojë për të krijuar vendbanim të ri për kolonistët e sjellë.
Përpjekjen e parë për themelimin e një lokaliteti të ri e kishte bërë Perandoria Osmane kur në fund të shekullit të XIX , kishte nisur ndërtimin e një qendre administrative në këtë regjion, por që ishte kundërshtuar dhe pamundësuar nga kryengritësit e këtushëm shqiptarë. Ndërkaq, 34 vjet më vonë pushtuesi tjetër, Jugosllavia e Parë, kishte nisur krijimin e një lokaliteti të ri, në rend të parë me qëllim të vendosjes se kolonistëve sllavë të cilët i kishte sjellë nga Serbia, Mali i Zi, Bosna e Kroacia. Më vonë, në vitin 1931, në këtë lokalitet ishte bartur nga Deviçi edhe selia e Rrethit të Drenicës.
Të gjitha këto nuk kanë qenë temë e ndonjë studimi të thuktë të historianëve tanë, me përjashtim të ndonjë shkrimi të përciptë. Nezir Çitaku, është i vetmi historian që seriozisht është marrë me historikun e qytetit të Skenderajt në librin e tij “Drenica në shekuj” të botuar në Ulqin, në mesin e vitit 2007.

Krerët e Drenicës japin idenë e emrit, Porta e Lartë nis ndërtimin e Sarajit (Hamidisë)

Sipas Nezir Çitakut, si ide, emri Skenderaj (në kujtim të heroit kombëtar Skenderbeu) kishte nisur shumë herët nga krerët e Drenicës të cilët, me armë, në vitet 1890-1893, kishin kundërshtuar Perandorinë Osmane që synonte ta ndërtonte në Drenicë një qytet me emrin Saraj. Ndërtimin e qendrës administrative e kishin nisur në pronat e Llaushës, në pjesën jugore të Skenderajt të sotshëm, ku më vonë ishte ndërtuar tjegullorja e vjetër.
“Kjo kishte irrituar shqiptarët autoktonë të kësaj ane, andaj të udhëhequr nga Ahmet Delia, mbi 2.000 luftëtarë e kishin sulmuar dhe i kishin vu zjarrin zyrave qeveritare me emrin Hamidi (e emëruar në nderim të Sulltan Abdyl Hamidit të II)”, ka deklaruar Çitaku. Ai mandej ka shtuar se për shqiptarët emri Hamidi ishte i huaj, pasi ata thoshin se kur të vijë koha do ta ndërtojmë vetë selinë administrative të Drenicës dhe do ta pagëzojnë me emrin e heroit kombëtar Skënderbe. Dështimin e përpjekjeve të pushtetit turk për ndërtimin e godinës se Kajmekamit në Llaushë të Drenicës pas sulmit të kryengritësve të kësaj ane më 14 janar 1891, e ka pohuar edhe historiani tjetër, mr Ibrahim Çitaku, në librin e tij “Azem Galica”, të botuar më 1996, në Prishtinë.
Djegies se Sarajit populli i kishte kushtuar disa këngë, njëra prej të cilave ndër të tjera thoshte:
Shih çka bajke ajo Turki,
n’Drenicë nisi shehër t’ri,
ja ngjet emnin Hamidi,
don me ba këtë vend Turki.
U idhnun t’part e Drenicës,
fjalë po i qojnë Pashës t’Prishtinës,
s’durojmë këtu na shehër t’ri,
do ta bajmë shkrum e hi.
U mushën kerret kashtë e tallë,
shkuan Sarajn për me kallë,
shkarkojnë kashtë e shkarkojnë tallë,
meniherë i kanë dhanë zjarrë,

rrafsh me tokë e bajnë Sarajn.

Krijohet vendbanim i ri për kolonistët e sjellë nga pushtuesi, emërohet Serbicë

Me shpërthimin e luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, trojet shqiptare bijnë nën okupimin e Jugosllavisë së Parë, e cila bën rindarje administrative të trojeve shqiptare, kur Rrethi i Drenicës, me seli në Deviç, inkuadrohet në Qarkun e Zveqanit deri në vitin 1916, kur Kosova bjen nën pushtimin Austro-hungarez.
N. Çitaku sqaron se pas pushtimit sllav të Kosovës kishte filluar edhe kolonizimi i saj e kështu ndodhi edhe me Drenicën duke i vendosur kolonistët në pjesët më të mira të këtij regjioni, kuptohet në pronat e shqiptarëve. Kolonizimi i Drenicës me serbë e malazezë kishte filluar në vitin 1921, dhe për 20 vjet kishin vendosur 828 familje.
“Në vitet 1924-1931, në arat në mes fshatit Klinë e Poshtme dhe të fshatit Llaushë, ngrihen objektet e vendbanimit me 50 shtëpi për kolonistët serbë e malazezë, dhe ky vendbanim emërtohet me emrin “Serbica”, ka thënë autori i librit “Drenica në shekuj”.
Këtë e pohon edhe kolegu i tij, mr Ibrahim Çitaku, në librin “Drenica 1991-1999”, të botuar në Prishtinë, 2004, për të shtuar se “në vendbanimin e ri në vitin 1924, së pari u ndërtuan prej materialit të fortë tri ndërtesa, e mandej edhe shtëpitë e tjera për 52 familje kolonistësh”.
Ky emër për herë të parë gjendet i shënuar në dokumente të vitit 1931, pas regjistrimit të popullsisë që ishte bërë atë vit. Po në këtë vit edhe selia e rrethit të Drenicës nga Deviçi zhvendoset në lokalitetin e ri të quajtur Serbicë.
Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, në prill të vitit 1941, në këto anë shtrihet pushteti italiano-gjerman. Menjëherë pas çlirimit të Drenicës nga pushtuesi serb, më 18 prill 1941, italianët formojnë pushtetin e vet, ndërsa formimi i pushtetit shqiptar në pjesën e Kosovës iu besua Komesariatit të Lartë për Kosovë, Dibër dhe Strugë.
“Më 22 shtator 1941, komisari i këtij Komesariati, Fejzi Alizoti, lëshoi dekretin për formimin e Prefekturës së Pejës në kuadër të së cilës ishte edhe Nënprefektura e Drenicës. Kurse, fill pas kësaj ringjallet ideja për riemërtimin e lokalitetit me emrin Skenderaj, duke ia hequr emrin Serbicë”, ka spikatur historiani i vetëm që seriozisht është marrë me këtë historik.
Gjithnjë sipas tij, në gusht të atij viti, në Polac mulla Ibrahimi kishte organizuar një takim të kerëve të Drenicës i njohur si “Sofra Drenicare”, në të cilin kishin marrë pjesë edhe nënprefekti i parë i Drenicës, Et’hem Ferat Prekazi, me bashkëpunëtorët Mexhit Shala e Qamil Hoxha. Aty ishte marrë vendimi për kthimin e emrit Skenderaj, toponim ky i njohur që nga kryengritja e drenicasve kundër osmanlive (1890).

Manifestimi i kremtimit të Ditës së Flamurit dhe emërtimi i qytetit Skenderaj

Pas kësaj, nënprefekti Et’hem Ferat Prekazi, iu drejtua me një kërkesë organit të lartë shtetëror në Tiranë për ndërrimin e emrit nga Serbica në Skenderaj, dhe Qeveria e Tiranës e miraton kërkesën. “Me marrjen e pëlqimit me shkrim krerët e Drenicës dhe organet e pushtetit të Nënprefekturës marrin vendim të organizojnë një tubim madhështor popullor në Skenderaj, më 28 nëntor 1941, për të kremtuar festën e dyfishtë: Ditën e Flamurit dhe pagëzimin e qytetit me emrin Skenderaj”, është shprehur Çitaku.
Sipas dëshmive të kohës, në fjalimin përgëzues të mbajtur në këtë tubim, nënprefekti, Et’hem Ferati, thekson se “na drenicasit ia kemi borxh kreut të Drenicës, të cilët që nga viti 1890, por edhe më parë kanë ndjekur rrugën e rilindasëve shqiptarë, prijësve të Lidhjes së Prizrenit, Hasan Prishtinës e Azem Bejtës, dhe vazhduan luftën deri 1912, kur çlirohet Kosova deri në Shkup nga vetë shqiptarët, e mandej luftën e vazhduan edhe kundër Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, deri në çlirimin e saj nga pushtuesi serbomadh, më 18 Prill 1941”.
Mbajtja e këtij manifestimi madhështor dëshmohet edhe me të dhënat me shkrim (kujtimet stenografike) dhe fotografitë e manifestimit të cilat Mexhit Shala, pjesëmarrës i tubimit, i ka dorëzuar autorit të librit “Drenica në shekuj”. “Mexhit Shala nga Peja, ishte kryeshef i financave në Nënprefekturën e Drenicës, gjatë viteve 1941-1943. Për të gjitha ngjarjet e asaj kohe ai i kishte mbajtur shënime dhe ato mi ka dorëzuar, sikur edhe fotografitë e bëra gjatë mbajtjes se mitingut të 28 nëntor 1941, në Skenderaj”, ka treguar Nezir Çitaku.
Ai mandej është shprehur i bindur se këto kujtime të shkruara në stenografi, në 45 faqe, dhe fotografitë e mitingut, pamohueshëm dokumentojnë për vendimin e pagëzimit të selisë administrative të Nënprefekturës me emrin Skenderaj, dhe njëherit dokumentojnë ngritjen për herë të parë të flamurit kombëtar shqiptar në Skenderaj të Drenicës, në prezencën e udhëheqësve të Nënprefekturës, krerëve të Drenicës dhe popullit pjesëmarrës drenicas.

Kadri Sinamati, sekretar i Nënprefekturës së Drenicës, kishte një rrëfim më ndryshe lidhur me këtë histori

Lidhur me historinë e ndërrimit të emrit të Skenderajt, një rrëfim ndryshe është ndërtuar në bazë të dëshmisë se Kadri Sinamatit, sekretar i Nënprefekturë së Skenderaj në periudhën 1940-1942.
Dallimi i rrëfimit të tij është se ai kishte thënë se vetë ishte propozues i ndërrimit të emrit dhe se kremtimi i festës së dyfishtë është mbajtur më 28 nëntor 1942, e jo një vit më herët, siç pohon historiani, Nezir Çitaku.
Sipas një artikulli të gazetarit Bashkim Shala, të botuar në Koha Ditore, më 31 dhjetor 2007, Kadri Sinamati nga Bicaj i Lumës, Rrethi i Kukësit, në mars 1942, i kishte propozuar Qeverisë së Tiranës, e drejtuar nga Rexhep Mitrovica, e që drejtonte të gjitha trojet shqiptare (Shqipëri, Kosovë e Maqedoni), ndërrimin e emrit të qytetit nga Serbicë në Skenderaj.
Autorësinë e ndërrimit të emrit të vendbanimit e ka sqaruar edhe vet Kadri Sinamati, në një material të gjetur në Arkivin e Kukësit, përmes një deklarate të datës 10 nëntor 1976, ku mes të tjerash shkruan. “…jam emëruar sekretar i Nënprefekturës së Drenicës, me qendër Serbicë. Ky emër, në shqip përkthehej “Serbi e Vogël”, më vonë me propozimin tim këmbëngulës është ndryshuar në Skenderaj…”, shkruan në autobiografinë e tij, Kadri Sinamati. Dokumente e fakte të ruajtura nga djali i Kadriut, Qemal Sinamati, me banim në qytetin e Kukësit, pohojnë se ndryshimi i emrit ishte bërë realitet në nëntor 1942.
Njejtë pohojnë në kujtimet e tyre edhe dy dëshmitarë të asaj kohe. “Në atë kohë, sekretar i Nënprefekturës së Drenicës ka qenë Kadri Sinamati … i cili i propozoi Qeverisë së atëhershme që emri Srebicë të zëvendësohet më emrin Skenderaj. Qeveria e miratoi propozimin … dhe vendimi është zbatuar në nëntor të vitit 1942”, thuhet në deklaratën e noterizuar të Ismail Muçmata, nga fshati Shtiqën i Kukësit, ish-rojë finance gjatë viteve 1941-1942, në Nënprefekturën e Drenicës.
Një fakt të tillë e pohon edhe Rexhep Gjana nga Kukësi, ish-përgjegjës i Postë- Telekomunikacionit në Skenderaj, gjatë vitit 1941-1942, në ditarin e ruajtur nga djali i Rexhepit, Bedri Gjana. “Kam qenë me detyrën e përgjegjësit të Postë Telefon Telegrafit në Drenicë gjatë viteve 1941-1942… Nënprefektura e Drenicës me propozimin e Kadri Sinamatit mori vendim që emri Serbicë te zëvendësohet në Skenderaj…”, shkruan në kujtimet e tij Rexhep Gjana, përgjegjës i PTT-së në Skenderaj.

Lidhur me këto dilema, magjistri i historisë, Ibrahim Çitaku, nuk ka mendim të prerë, por thotë se këto dilema do ti zgjidh vitin e ardhshëm në arkivat e Shqipërisë, në të cilët planifikon të hulumtojë. As historiani më produktiv i kësaj ane, Bedri Tahiri, nuk është marr me këtë temë në rreth 15 librat e botuar deri tash.
BOX: Kush ishin udhëheqësit e parë të Nënprefekturës së Drenicës

Në ndarjen e parë administrative në mes gjermanëve dhe italianëve, në maj të vitit 1941, nënprefekt i parë në Drenicë ka qenë Et’hem Ferat – Prekazi i cili në këtë detyrë ishte deri më 22 shtator, kur zgjidhet nënprefekt i Mitrovicës. Ndërsa, sekretar i Nënprefekturës së Drenicës ka qenë Riza Gashi-Kuqica nga Mitrovica.

Prej 22 shtatorit 1941, deri në shtator 1942, nënprefekt në Skenderaj ka qenë Januz Sadiku nga Shkodra, kurse sekretar Kadri Sinamati nga Kukësi. Ndërkaq, nënprefekt i tretë në Skenderaj, nga shtator 1942 – shtator 1943, ka qenë Ahmet Salihu nga Prishtina, ndërsa nënprefekt i katërt ka qenë Hamdi Gashi nga Dubovci i Drenicës. Këto të dhëna autori Nezir Çitaku thotë se i ka nxjerrë nga shënimet e kujtimeve të Mexhit Shalës.